E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: T‘i japim fund zhvillimit informal të bregdetit

Kryetari i Partisë Socialiste, Rama, në vijim të "Dialogut me Shqiptarët", ka qenë në skajet më jugore të vendit, duke kërkuar midis të gjithë bashkëbiseduesve një solidaritet të ri. Në të gjitha takimet që ka zhvilluar Rama në Sarandë, Delvinë, në Komunën Bakaj dhe në Ksamil, ka ftuar të gjithë pa dallime partiake apo bindje politike, të jenë pjesë e një kontributi që duhet të japin të gjithë shqiptarët për programin e ri socialist.

Kjo alternativë e re, është shprehur Rama në këto takime, do të formësohet nga të gjitha tryezat e PS-së në çdo fshat e qytet për të bërë të mundur që programi i nesërm t‘u përgjigjet të gjitha problematikave të zhvillimit të zonave dhe specifikave të tyre ekonomike e sociale. "Ne kërkojmë pjesëmarrje aktive, e cila nuk është thjesht pjesëmarrja në këtë takim si ky ku diskutojmë në vija të përgjithshme, por është një pjesëmarrje që shtrihet në tryezat që ne kemi ngritur në çdo qytet për arsimin, në tryezat që po ngremë në çdo komunë për bujqësinë, për blegtorinë, zhvillimin e fshatit, në tryezat që janë ngritur në çdo qark për mjedisin dhe që do të ngrihen në vijimësi për çështje të tjera", është shprehur Rama. Dëshira jonë, ka theksuar më tej ai, është që qytetaret dhe qytetarët e këtij vendi të thonë fjalën e tyre, por edhe që PS-ja të dëgjojë, për të mundur që të gjitha ato që janë problemet konkrete të njerëzve, të kthehen në objektin e debatit tonë të brendshëm, të kthehen në objektin e programit tonë të ri. Rama tha se "Shqipëria ka 17 vjet që gjendet në kushtet e lirisë, në një demokraci që sigurisht ka ende shumë rrugë për të bërë, por që asnjëri nga ne 17 vjet më parë nuk e kishte përfytyruar që në vitin 2008 Shqipëria do të ishte kjo që është sot, që Saranda do të ishte kjo që është sot, që Ksamili do të ishte ky që është sot, që bregdeti shqiptar do të ishte ky që është sot". Të gjithë, tha kryetari i PS-së, kemi pasur një përfytyrim shumë më të madh, kemi pasur një dëshirë shumë më të madhe, një ambicie shumë më të madhe për vendin tonë dhe ky realitet është mjaft i ndryshëm nga ëndrra dhe ambicia jonë për Shqipërinë dhe mbi të gjitha problemet e sotme, të cilat janë probleme të krijuara dhe të rënduara gjatë tranzicionit. Është e domosdoshme ka vijuar kreu socialist më tej, që të krijojmë kushtet për t‘ju dhënë një të ardhme fëmijëve tanë, për t‘ju dhënë një të ardhme atyre që duan ta ndërtojnë jetën e tyre në këtë vend. Gjatë këtyre takimeve në jug të vendit, Rama ka vënë theksin se këto zona edhe pse kanë pasuri natyrore dhe mundësi zhvillimi, përsëri janë të varfra dhe punësimi mungon, zhvillimi është krejt informal dhe i paorientuar. Duhet t‘i japim fund këtij lloj zhvillimi të këtyre zonave, në mënyrë që të garantohet mirëqenia dhe arritja e standardeve evropiane si në turizëm, por edhe në bujqësi. Duke vizituar edhe të paktat investime të këtyre zonave, kryetari socialist është shprehur për një mbështetje të të gjithë sipërmarrësve, në mënyrë që përmes tyre të garantohet edhe rritja e punësimit dhe frenimi i emigracionit, i cili e ka lënë jugun e vendit të shkretë nga rinia e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›