E Diel, 1 Nëntor 2026

Minxhozi: Qeveria po shkatërron investimet në zonën e Ulzës

Deputeti i PS-së, Qemal Minxhozi, ka deklaruar dje se qeveria po shkatërron investimet e bëra deri më tani në zonën e Ulzës, duke rritur kështu shkallën e varfërisë. Ai ka deklaruar dje se prej vitesh në Ulzë shtrin veprimtarinë e saj njësia e transmetimit të tensionit të lartë që mbulon transmetimin e energjisë elektrike në të gjithë Shqipërinë e Veriut. Të 50 nën stacionet elektrike nga Fushë-Kruja deri në Tropojë menaxhohen nga njësia e Ulzës.

Sipas tij, kohët e fundit KESH ka urdhëruar transferimin e kësaj ndërmarrjeje nga Ulza në Rubik, veprim i cili shkatërron investimet që janë bërë nga shteti për ngritjen e kësaj njësie në Ulzë që në vitin 2002. Sipas strategjisë të hartuar nga kompania italiane ENEL, në këtë njësi janë bërë investime për zyra, për magazina dhe laboratorë etj. "Nga ana tjetër, në Ulzë ka një personel inxhiniero-teknik të kualifikuar, ku secili nga punonjësit ka të paktën nga 15 deri në 20 vjet eksperiencë pune në hidrocentral. Transferimi i kësaj ndërmarrjeje në Rubik do të krijonte edhe mjaft probleme sociale. Të paktën 30 vende pune do të mbylleshin në Ulzë dhe transferoheshin në Rubik. Nuk dihet nëse do të gjenden në Rubik njerëz të kualifikuar që të plotësonin cilësitë e nevojat e ndërmarrjes", është shprehur Minxhozi. Duke theksuar më tej se ky veprim është i padrejtë dhe absurd, që nuk krijon asnjë impakt pozitiv në përmirësimin e jetës së banorëve të të dyja këtyre zonave. Minxhozi ka theksuar se nëse nuk gjen zgjidhje, do të kërkojë në interpelancë ministrin Ruli për të dhënë sqarimet e nevojshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›