E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Fabrikat e çimentos, të pyeten banorët

"Keqqeverisja ka shtuar papunësinë dhe ka ulur ritmet e zhvillimit të vendit, si rrjedhojë e mungesës së investimeve". Kështu është shprehur para banorëve të Mamurrasit kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Gjata takimit me banorët e kësaj zone, kreu i LSI-së ka theksuar më tej se shkak i rritjes së nivelit të varfërisë në vend janë edhe rritjet e pandalshme të çmimeve, të cilat po thellojnë çdo ditë e më shumë rrënjët e varfërisë jo vetëm në Mamurras, por në të gjitha zonat e Shqipërisë. Vëmendja e kryetarit të LSI-së në takimin me banorët e Mamurrasit është ndalur edhe tek infrastruktura dhe mjedisi në këtë qytet. Është për të ardhur keq, tha Meta, që Mamurrasi, një qytet me kaq shumë resurse, po vuan një mungesë kaq të theksuar të zhvillimit dhe një varfëri të dukshme të banorëve të tij. Duke folur për problemet mjedisore, për të cilat u shprehën shqetësime edhe nga banorët e kësaj zone, lideri i LSI ka theksuar se qeveria nuk duhet të abuzojë me dhënien pa kriter të lejeve për prodhimin e çimentos. Meta kërkoi që në rastet kur jepen këto leje, duhet të merren patjetër në konsideratë dhe të tregohet përgjegjshmëri e lartë për garantimin e teknologjisë evropiane dhe të standardeve ndërkombëtare, që garantojnë kushte të sigurta pune dhe nuk lejojnë ndotjen mjedisore dhe konsekuencat negative në shëndetin e njerëzve. Ne duhet të mendojmë jo vetëm për vete, theksoi Meta, por për edhe për brezat që do të vijnë. Nuk mund t‘ju trashëgojmë fëmijëve tanë një vend të ndotur dhe burim të sëmundjeve të ndryshme. Gjithashtu, kryetari i LSI-së ka qenë edhe në qytetin e Lezhës, ku është takuar me përfaqësues të moshës së tretë të këtij qyteti. Qëllimi kryesor i këtij takimi ka qenë bashkëbisedimi dhe njohja e përfaqësuesve të kësaj moshe në qytetin e Lezhës me projektligjin e paraqitur nga LSI për mbështetjen e moshës së tretë. Duke falënderuar përfaqësuesit e moshës së tretë të Lezhës për pjesëmarrjen në takim, lideri i LSI, Meta, është shprehur se "takime të tilla do të ketë në të gjithë Shqipërinë, në mënyrë që të zhvillohen diskutime dhe konsultime konkrete sa më të gjera për mundësimin e realizimit të një programi konkret dhe të prekshëm në shërbim të qytetarëve, siç është edhe paraqitja e projektligjit të LSI në mbështetje dhe për një kujdes më të madh ndaj moshës së tretë, që është një nismë konkrete në shërbim të kësaj shtrese sociale që ka nevojë për ndihmë nga shteti dhe qeveria". Gjatë prezantimit të projektligjit të LSI, kryetari Meta është shprehur se "ky projektligj i thotë jo përjashtimit dhe braktisjes sociale të moshës së tretë nga shteti dhe qeverisja". Meta theksoi se projektligji është hartuar duke u bazuar në takimet që kemi pasur me sindikatën e pensionistëve, me ekspertë dhe profesorë, në konsultim edhe me institucionet financiare ndërkombëtare, si dhe duke u bazuar në modele mjaft efikase të mirëqenies sociale të shteteve, si Britania e Madhe apo Hungaria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›