E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoze Murinjo: Dua ta "vras" Çelsin

Hose Mourinjo ka paralajmëruar Çelsin se synon ta "vrasë" kur të rikthehet aktiv si trajner. Ish-drejtuesi i stolit të bluve konfirmon dashurinë që ka për klubin, të cilin e drejtoi për më shumë se tre vjet, përpara se të largohej në mënyrë të bujshme në shtator 2007. Gjithsesi, portugezi kërkon deri në dëshpërim të përballet me këtë skuadër në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampioneve dhe t‘i eliminojë. "Shpresoj të luaj kundër tyre në edicionin e ri të Championsit", tha tekniku luzitan. "Nëse do t‘i kem kundërshtarë në aktivitetin më të rëndësishëm evropian, dua t‘i ‘vras‘, ky është mesazhi im". Murinjo është zëvendësuar nga Avram Grant, i cili fillimisht ishte punësuar në "Stemford Brixh" si drejtor sportiv. Ai refuzoi të shprehte një mendim për izraelitin, duke thënë: "Nuk ndiej asgjë për të, ndiej shumë për klubin, por jo personalisht për Grant. Çelsi vazhdon të jetë pjesë e imja, është një klub që do ta kem përgjithmonë në zemër. Edhe pasi u largova, nuk thashë asnjëherë një fjalë të keqe për klubin dhe kjo nuk ka për të ndodhur as në të ardhmen". Largimi i Murinjos vazhdon të mbetet mister, edhe pse sipas zërave shkak u bënë marrëdhëniet e tensionuara me pronarin Roman Abramoviç. Megjithatë, portugezi zbuloi se ende vazhdon të mbajë kontakte me manjatin rus. "Më duket se javën e kaluar fola me drejtuesit e klubit, tha ai. Bisedova me z.Abramoviç dhe (shefin ekzekutiv) Pitër Kenion, pasi ne vazhdojmë të mbajmë kontakte. Po u thosha se i uroj të gjithë të mirat, suksese dhe që të fitojnë gjithmonë".

Murinjo vazhdon të stërvitet 20 minuta në ditë, vrapime dhe muskuj barku. Asnjë sekondë më shumë. Pjesën tjetër të kohës e kalon me familjen, ndërsa gjatë fundjavës ulet përpara televizorit dhe shikon ndeshjet. Rikthimin si trajner e sheh vetëm vitin e ardhshëm. "Momentalisht nuk kam dëshirë të kthehem në stol, sepse po studioj. Do jem i gatshëm vitin e ardhshëm, pohoi ai. E ardhmja? Në Itali ose në Spanjë. Më pas duhet të kthehem në Angli dhe në fund ta mbyll karrierën si trajner i kombëtares portugeze".

Vesi

Murinjo ka një arkiv personal ku ruan skemat, skedat e lojtarëve dhe shënimet e punës që prej ditës së parë që ka drejtuar një skuadër

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›