E Diel, 1 Nëntor 2026

Kostoja e vërtetë e luftës

Në një lokal në afërsi të Parlamentit, Joseph Stiglitz gjerb kafe dhe të jep përshtypjen e atij që nuk ka pasur një natë të lehtë. Për dy ditë me radhë ka qenë i pranishëm në median evropiane dhe atë amerikane, për të shpjeguar dhe sqaruar të gjithë në lidhje me librin e tij të fundit. Është një libër shumë i diskutuar, por me një autor si nobelisti Stiglitz nuk mund të mos tërheqë vëmendjen e madhe të njerëzve por edhe të institucioneve. Autori është një akademik i shquar, me një karrierë si këshilltar ekonomik gjatë katër viteve të para presidenciale të ish-presidentit Klinton, dhe tri vite të tjera si shef i ekonomistëve të Bankës Botërore (periudhë gjatë së cilës ka shprehur vazhdimisht kritikat e tij ndaj globalizmit. Libri i tij i fundit synon që të japë një këndvështrim të ri në lidhje me konfliktin e Irakut, që ende po vazhdon. Lufta me një kosto prej tre trilionë dollarësh, sipas autorit, do të jetë një peshë e madhe për të gjithë në dhjetëvjeçarët e ardhshëm me pasoja që do të ndihen që nga Ëall Street e deri te civilët e thjeshtë. Zanafilla e librit vjen nga mosbesimi që ekonomisti kishte në lidhje me shifrat zyrtare të ofruara nga Zyra e Buxhetit pranë Kongresit Amerikan në vitin 2005. Sipas saj, kostoja e luftës, deri në atë moment ishte vetëm 500 miliardë dollarë. Sipas nobelistit kjo shifër ishte shumë e ulët dhe që nga ai moment ai nisi hetimet personale për të zbuluar të vërtetën. Materiali është shkruar edhe me bashkëpunimin e një tjetër këshilltareje ekonomike të ish-presidentit Klinton, Linda Bilmes, dhe një pjesë e tij u publikua në vitin 2006. Sipas tij, deri në atë moment, lufta kishte kushtuar mes 1 dhe 3 trilionë dollarë amerikanë. Republikanët patën dy reagime. Njëri erdhi nga Bushi, që tha se administrata e tij nuk kishte pse t‘ua vinte veshin deklaratave të ca llogaritarëve. I dyti vinte nga qarqe më gjakftohta, sipas të cilave ne ishim marrë vetëm me koston e luftës e jo me përfitimet e lindura prej saj. "Ne, që të themi të drejtën, donim që të shihnim edhe anën e përfitimeve, por nuk e vumë re gjatë punës sonë", thotë autori. Pas muajsh të tërë gërmimesh në llogaritë e fshehura qëllimshëm të kostos së luftës, dy autorët zbuluan se ndryshe nga sa pretendohet zyrtarisht, aventura e Bushit në Irak do t‘i kushtojë Amerikës, dhe jo vetëm asaj shifrën prej tre trilionë dollarësh. Autorët pretendojnë se puna e tyre del përtej llogaritjeve dhe shifrave. Ata thonë se prej shifrave mund të shohin ecurinë e një procesi të tërë veprimesh dritëshkurtra.

Këtë muaj, Amerikës i bëhen 5 vjet nga hyrja në Irak, periudha më e gjatë në krahasim me çdo luftë tjetër. Çdo muaj, shpenzimet e luftës në Irak dhe Afganistan kapin shifrën 16 miliardë dollarë, sa ç‘është i tërë buxheti vjetor i Kombeve të Bashkuara. Në librin e tyre, Stiglitz dhe Bilmes, hedhin dyshime edhe mbi numrin real të viktimave të luftës amerikane, por edhe të civilëve vendas. Për t‘iu rikthyer shifrave të luftës, në libër jepen edhe fushat civile ku këto para mund të ishin përdorur në vend të luftës. Kështu mund të ishin ndërtuar 8 milionë apartamente, ose mund të ishte investuar për ngritjen dhe pagat e 15 milionë mësuesve të shkollave publike, paratë mund të ishin shpenzuar për shkollimin e plotë të 43 milionë studentëve. Shifra prej tre trilionësh mund të kishte shërbyer për të ndrequr njëherë e mirë çështjen e sigurimeve shoqërore për një gjysmë shekulli. Po cilat janë disa nga zbulimet që Stiglitz i konsideron në fund të kërkimeve të tij si më alarmantet? "Kishte shumë gjëra për të cilat kishim dyshimet tona paraprakisht, por ka edhe nga ato zbulime të cilat na kanë lënë me gojë hapur. I tillë është fakti që një punëtor i kontraktuar me pozicionin e rojës merrte një pagesë prej 400 mijë dollarësh në muaj, ndërkohë që një ushtar merr vetëm 40 mijë. Por në libër do të gjeni fakte vërtetë rrëqethëse", thotë autori, për të cilin problemi i vërtetë i të gjitha këtyre shpenzimeve dhe shkeljeve është pasoja dhe kohëzgjatja e saj në mbarë ekonominë botërore. "Do të ketë pasoja jashtëzakonisht të këqija. Marrim vetëm faktin e thjeshtë të borxhit të madh që amerikanët u kanë të tjerëve për shpenzimet e luftës. Mendoni pastaj se, pavarësisht arsyeve për të cilat u bombardua Bagdadi, ulja e çmimit të naftës sigurisht që nuk ishte pasojë e ndërhyrjes, pasi sikurse po e shohim përditë. që nga koha e sulmit e deri tani ai veçse po rritet. Nga 25 dollarë që ishte për fuçi ka shkuar në 100 dollarë. Sigurisht është një kohë fitimesh marramendëse për kompanitë e naftës dhe vendet naftë-prodhuse, por jo për të tjerët. Çmimet e larta të naftës kanë një ndikim të menjëhershëm tek buxhetet e familjeve, qyteteve dhe shteteve. Pikërisht ai ishte edhe një nga shkaqet e uljes së shifrave të Prodhimit Kombëtar Bruto të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kur si pasojë e ngritjes së çmimit të naftës u ritën përqindjet e interesit, mijëra kreditorë shtëpish u gjendën në pamundësi për të vazhduar me pagesat ç‘ka solli edhe "cunamin" e fuqishëm të krizës së kredive të shtëpive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kësisoj thënia që lufta është e mirë për ekonominë është thjesht një mit, një mit mendjembushës, sigurisht, dhe në disa raste si ai i Luftës së Dytë Botërore të japet përshtypja se gjërat funksionojnë sipas logjikës së thënies, por të mos harrojmë se në vitin 1939 Amerika dhe Evropa ndodheshin në një gjendje depresioni. Në treg kishte çdo lloj malli të dëshirueshëm, por njerëzit nuk kishin para për të blerë. Përgatitja e armatimeve dhe sendeve të tjera që duheshin për luftë do të thoshte hapje e vendeve të reja të punës, pra më shumë para në xhepin e njerëzve.", thotë Stiglitz. Ai dhe bashkë-autorja e studimit të tij nënvizojnë gjithashtu se të ndash luftën nga ekonomia është sigurisht një nocion shumë naiv. "Pas zhvillimeve të 5 viteve të fundit nuk bëhet më fjalë vetëm për ekonominë amerikane, por për atë botërore. Pesha e trilion dollarëve bie mbi gjithë banorët e globit, qindramijëra irakenët e vrarë, dëmet që u janë shkaktuar vendeve fqinje me Irakun për shkak të dyndjes së refugjatëve , të vrarëve, të plagosurve dhe përjetësisht të dëmtuarve e ushtarëve dhe trupave të koalicionit. Kjo është një situatë për tu shqetësuar", thotë ekonomisti. Sipas tij rritja e çmimeve të naftës ka bërë që kostoja e importit të naftës nga vendet Evropiane të jetë aktualisht 1.1 trilion dollarë. Për vendet e zhvilluara situata është shkatërrimtare gjithashtu. Sipas llogaritjeve çmimi i naftës ka ulur në 3% të ardhurat e tyre të deritanishme. Sipas tij borxhin kryesor të luftës Amerika ia ka Kinës. "Amerika tani po operon në një deficit të madh çka do të thotë që janë krijuar precedentë të rëndë varësie,. Një varësi që duhet të na shqetësojë të gjithëve. Po cila është zgjidhja? Sipas Stiglitz trupat amerikane duhet të lenë menjëherë vendin dhe mbi të gjitha në një mënyrë sa më dinjitoze të mundshme të mundohen që një pjesë të parave ta shpenzojnë për rindërtimin e Irakut ndërsa pjesën tjetër për të shëruar plagët e hapura të ekonomisë amerikane, në mënyrë që ajo të rifitojë pavarësinë e saj, tashmë të humbur, për të luajtur më pas një rol prej vendi të përgjegjshëm në arenën ndërkombëtare. Libri përfundon me listën e 18 reformave specifike që sipas autorëve dalin si konkluzion i studimit të tyre dhe që duhet të ndërmerren. Ato fokusohen në mënyrën e financimit dhe të drejtimit të një lufte. Nobelisti ka tërhequr edhe vëmendjen e njërit prej kandidatëve demokratë për në Shtëpinë e Bardhë, Barak Obamës i cili e konsideron si një këshilltar të mundshëm ekonomik. Vetë Joseph Stiglitz thotë për të ardhmen e tij: "Tani jam në një moshë të shkuar dhe nuk mendoj se e shoh veten ngulur në një tavolinë në Washington. Ajo çka më intereson vërtetë është të ndihmoj në dhënien e një pamjeje sa më të plotë të situatës ekonomike dhe në veçanti të asaj që ka të bëjë me pozicionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në botë si dhe rivendosjen nga ana e saj të lidhjeve me vendet e tjera që janë dëmtuar shumë nga sjelljet e papërgjegjëshme të administratës së Bushit. Problemi me Irakun është se ajo ishte një luftë e gabuar dhe u krye me mjetet dhe me mënyrat më të gabuara të mundshme. Unë nuk jam kundra luftrave, jam kundra luftrave idiote."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›