"Pas 10-15 vjetësh mund të kualifikohemi"
Alban Bushi ndryshon temë. Edhe pse përflitet se do të jetë jashtë kombëtares në miqësoren me Moldavinë më 26 mars (lista zyrtare do të publikohet sot ose nesër), sulmuesi vazhdon të ndihet pjesë e kuqezinjve. 34-vjeçari ka folur për shanset e Shqipërisë për t‘u kualifikuar në një kompeticion madhor, kampionat botëror apo evropian. Edhe pse përpara çdo aktiviteti në vend "thuren" ëndrra për shanset që përfaqësuesja ka për të luajtur përkrah skuadrave më të mëdha, Bushi nuk kërkon të shkëputet nga realiteti. Sipas tij, Shqipërisë do t‘i duhet të presë edhe 10-15 vjet për t‘u kualifikuar. "Edhe për 10-15 vitet e ardhshme, kombëtarja shqiptare nuk do të mund të dalë e para ose e dyta në grup, duhet të jemi realist", ka deklaruar Bushi për të përditshmen kosovare "Express". Për sulmuesin, arsyet kryesore për këtë pritje relativisht të gjatë janë infrastruktura e dobët dhe puna e pakët që bëhet me talentet e reja. Të njëjtat shqetësime që e kanë frenuar futbollin tonë të çajë edhe në nivel klubesh.
Në këtë prizëm, Bushi mendon se largimi i trajnerit Oto Bariç nga drejtimi i skuadrës është një humbje e madhe. Gjithsesi, ai ka vlerësuar holandezin Ari Han, si një trajner të madh. "Me ikjen e Bariçit, Shqipëria është në minus. Ai skuadrën e ndërtoi nga themeli, e përforcoi me lojtarë të rinj dhe në ekip u krijua konkurrenca në çdo repart. Nëse dikush mungonte, atëherë kishte gjithmonë një zëvendësues të denjë për të. Ndërsa në kohën e Brigelit, Shqipëria kishte vetëm një 11-she", vazhdoi më tej sulmuesi i Apolon Kallamariasë në elitën e futbollit grek. "Për sa i përket Ari Han, mendoj se është trajner i madh dhe besoj se në Kombëtare do të sjellë filozofinë e vet, sikurse kanë bërë edhe trajnerët e mëparshëm".
34-vjeçari ka folur edhe rreth situatës që po kalon klubi i tij, që momentalisht ndodhet në zonën e rënies nga kategoria: renditet e 14-ta me 20 pikë të grumbulluara në 22 takime. Bushi beson se në fund të sezonit Kallamaria do ta sigurojë mbijetesën: "Unë jam shumë i sigurt se deri në fund të sezonit, skuadra e Kallamarias do ta sigurojë mbijetesën në elitën e futbollit grek". Në fund, golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në kombëtare (14 gola në 68 ndeshje) ka lavdëruar edhe mesfushorin kosovar, Përparim Hetemaj, i cili është bërë pjesë e ekipit nga Thesaloniki gjatë merkatos së janarit. "Me ardhjen e Përparim Hetemajt, skuadra është përforcuar shumë, e sidomos në sulm. Ai është një talent i madh dhe besoj se do ta ndihmojë skuadrën për të mbijetuar në ligë", përfundoi "Loku".