E Diel, 1 Nëntor 2026

Morati: Ju rrëfej 100 vitet e Interit tim

Masimo Morati rilexon një shekull jetë të Interit, përvjetor që klubi do ta festojë të dielën. Një histori që për padronin zikaltër (drejton skuadrën prej 13 vitesh, duke ndjekur gjurmët e të atit që ishte president nga viti 1955 deri më 1968) nuk është vetëm sportive, por edhe private, familjare. Kjo është arsyeja përse alfabeti i tij i 100-vjetorit përmban golat, fitoret dhe humbjet, por më shumë ndjenjat, emocionet dhe personat që kanë lënë gjurmë në skuadër.

ANXHELO MORATI - Vitet e presidencës së babait tim ishin spektakolare, absulotisht periudha më e mirë e Interit, me rezultate që vinin si rrjedhojë e një organizimi perfekt, inteligjencës dhe pasionit njerëzor.

BERLUSKONI - Një kundërshtar të cilin e kam gjetur dhe nuk e kam zgjedhur: shumë i fortë dhe aspak komod për potencialin që mund të shprehë, e për këtë arsye përballja me të nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Me Milanin kemi marrëdhënie bashkekzistence, mundohemi të gjejmë mënyrën që ato të jenë civile, sepse do të ishte shumë e lodhshme të ziheshim përditë.

KRIZA - Për të kuruar krizën në futbollin italian, së pari nevojiten stadiume të reja. Por, duke qenë se ky është një ilaç shumë i shtrenjtë, terapia nuk është aspak e lehtë.

DERBI - Më i rëndësishëm është derbi i Italisë. Juventusi është kundërshtari ynë kryesor. Milani mund të fitojë çfarë të dojë, megjithatë, edhe për ata sfida me Juventusin ka të njëjtën vlerë. Është çështje historie dhe traditash. E admiroj mënyrën sesi klubi dhe futbollistët u bënë përsëri konkurrentë të fortë pas periudhës së vështirë që kaluan.

GABIMET - Më ka mbetur peng ndërrimi i shpeshtë i trajnerëve, vendime që nuk i kanë dhënë vazhdimësi skuadrës në momentet kur kishte me të vërtetë nevojë.

FËMIJËT - Më kanë qëndruar pranë në këtë aventurë. Kur të kenë eksperiencë jam i bindur se do të bëjnë një punë më të mirë se unë, megjithatë, nuk u uroj të ulen në këtë post. Është një detyrë shumë e rëndë, ku duhet të jesh gjithmonë i përfshirë dhe kushton.

GOLAT - Zgjedh atë që Zhorkajef realizoi me roveshatë kundër Romës, i mahnitshëm. Më pas golin e Faketit në gjysmëfinalen e Kupës së Kampioneve përballë Liverpulit, që erdhi si rrjedhojë e lojës së mrekullueshme të skuadrës. Në fund Rumenigen, në Kupën UEFA kundër Rejnxhërsave, një roveshatë që nuk ishte normale (kjo rrjetë ishte anuluar nga gjyqtari).

HELENIO HERRERA - Një simbol, një profesionist i palodhur, që edhe pse nuk kishte në dispozicion mjetet e ditëve të sotme, i njihte të gjithë futbollistët nëpër botë. I veçantë, edhe sepse ndonjëherë e cilësonin antipatik. Sot askush nuk është si ai, disa sjellje të tilla i kam vënë re vetëm te Murinjo. Por, duke i lënë mënjanë emrat, marrëdhënia president-trajner duhet të ketë besim maksimal, pasi janë pikërisht ata të dy që rrezikojnë më shumë.

IBRAHIMOVIÇ - Më jep shumë kënaqësi, qoftë për mënyrën si luan ashtu edhe për sjelljen. Një profesionist i vërtetë. Ai ka edhe pak "çmenduri" që e bën publikun të ëndërrojë.

LIVERPULI - Mos më flisni për test maturie. Çdo vit na duhet të përballemi me këtë test të mallkuar... E kam të qartë se në Liverpul luajtëm një ndeshje jo fort të mirë, e cila na ka vendosur përpara një sfide shumë të vështirë. Liga e Kampioneve është e rëndësishme, por nëse eliminohemi dhe në fund të sezonit fitojmë kampionatin, kjo nuk do të thotë se sezoni duhet vlerësuar si negativ.

MOXHI - Nuk bëj komente, mjafton fakti që ai flet shumë. Periudha e Moxhit nxit brenda meje shumë zemërim dhe preferoj të hesht.

NJË EMËR - Për Interin e së ardhmes them Baloteli. Nuk ka "po sikur": është lojtar fizik, ka klas, karakter, gjithçka për t‘u bërë protagonist. Ndërkohë, lojtari që do t‘i shërbente më shumë skuadrës është Xherard. Është një lojtar shumë i mirë, ka vazhdimësi në paraqitjet e tij dhe është një lider i vërtetë. Megjithatë, nuk besoj se ekzistojnë shanse që ta blejmë.

MUNDËSITË - Erik Kantona ishte mundësia e parë që kam humbur. Pothuajse arrita ta blija, në atë kohë luante te Mançester Junajted, por u skualifikua për goditjen me shkelm ndaj një tifozi. Ai ndjeu detyrimin të qëndronte në Angli për të vuajtur pezullimin. Ishte fantastik. Me atë dhe me Ins do të kishim një skuadër shumë konkurruese, gjithmonë nëse do të na kishin lënë që të fitonim diçka.

PEPINO PRISKO - Zv/presidenti ynë historik është në zemrën e çdo tifozi të Interit edhe sepse ishte një person simpatik që e bënte të dashur edhe në sytë e kundërshtarëve. Është një nga ata njerëz, për të cilët ke nostalgji.

CILËSI - Çfarë duhet për të qenë president (përveç parave)? Shumë durim. Nuk ka dyshim se ky pozicion të shërben për të qenë i fortë në jetë, mëson të mos jesh shumë i sigurt te vetja, sepse je gjithmonë në diskutim. Nuk ka asnjë zanat tjetër në botë, që të jep mundësinë për të arritur objektivat dhe shumë më tepër.

RONALDO - Më vjen keq për dëmtimin e tij, ka qenë lojtari më i madh në periudhën pas Maradonës dhe këtë e kanë thënë të gjithë ata që kanë luajtur përkrah tij. Kemi biseduar kur luante te PSV Eindhoven, por e bleva nga Barcelona dhe kishte nga ata që e cilësuan këtë lëvizje si marrëzi. Nuk ishte kështu, pasi e shita dyfish. Nuk e imagjinoj më të lidhur me Interin si drejtues apo diçka tjetër, sepse bëri zgjedhje që e ndalojnë, si për shembull kalimi te Milani.

HUMBJA - Është diçka që futbolli të mëson ta pranosh, sepse të bën që të mos ndihesh i paprekshëm. Më e vështira? Ajo e 5 majit 2002, humbja me Lacion që na kushtoi titullin. Atë ndeshje e humbëm vetë, kjo nuk diskutohet. Kur flisja për kampionat të trukuar nuk i referohesha asaj dite: ndeshja ishte e rregullt, por jo të tjerat.

TIFOZËT - Disa prej tyre janë problematikë, jo vetëm për Interin, megjithatë, tifozët janë arsyeja përse dikush është president futbolli. E bën për të realizuar një ëndërr tënden dhe të të gjithë atyre që ndajnë një ndjenjë të fortë për klubin.

FORMACIONI IDEAL - E kam të vështirë të zgjedh vetëm 11, për këtë arsye po them edhe disa rezerva: Zenga (Zhulio Çesar); Zaneti, Piki, Materaci (Guarneri), Faketi; Ins (e kam dobësi), Macola, Korso, Suarez; Figo, Ibrahimoviç. Ronaldo? Jo, ka lëvizur në shumë skuadra.

FITORJA - Më e rëndësishmja është ajo e Vjenës në vitin 1964. Një triumf special, jo vetëm sepse ishte Kupa e Kampioneve, por sepse Interi i drejtuar nga babai im mundi atë që cilësohej si skuadra më e fortë në botë, Realin e Madridit. Zgjedhja kushtëzohet edhe nga fakti se pas asaj fitoreje skuadra fitoi simpati në Evropë.

ZANETI - Blerja ime e parë. Një atlet që nuk "shuhet", që nuk dorëzohet kurrë dhe që ka ditur të jetë i përulur, ashtu si ka qenë në fillim. Këto e bëjnë një shembull për të gjithë lojtarët, si duhet të jetë një kapiten i vërtetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›