E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbrëmja magjike e Hillari Klinton

Hillari Klinton fitoi primaret e demokratëve në Ohajo, në Rod Ailënd, si dhe në Teksas, pas një dueli të ashpër me Barak Obamën, duke humbur vetëm në Vermont. Në vend që ta nxirrte jashtë loje, siç parashikohej nga pjesa dërrmuese e mediave amerikane, e marta e zjarrtë elektorale e hodhi përsëri ish-zonjën e parë të Amerikës në garën presidenciale. Hillari, e cila e festoi suksesin me shishe të shumta shampanje, si të ishte dita e dasmës, gjithsesi mbetet pas rivalit kur vjen fjala te numri i delegatëve. Kthesa përfundimtare duket thuajse e pamundur, por bashkëshortja e ish-presidentit është e vendosur që t‘i shkojë garës deri në fund, etapa e radhës së të cilës do të zhvillohet të shtunën e kësaj jave, në Uajoming, ndërsa më e rëndësishmja më 22 prill në Pensilvani, një tjetër shtet kyç.

Mbrëmja magjike

Falë mbrëmjes magjike, gjatë së cilës Hillari Klinton i dha fund 12 fitoreve të njëpasnjëshme të Barak Obamës, rendja e demokratëve për përcaktimin e kandidatit u hap sërish. Ndërkaq u mbyll gara republikane. Duke dominuar në të katërta shtetet, senatori Mek Kein ka kaluar tashmë numrin e delegatëve (1191) që duhen për të përcaktuar kandidaturën. Maik Hakëbi, kundërshtari i tij, është tërhequr, duke i premtuar edhe mbështetjen politike. I pari që e uroi për këtë sukses ishte demokrati Obama: "E pres me ankth përballjen tonë gjatë muajve që do të pasojnë". Me besim të plotë te vetja dhe në gjendje të shkëlqyer shpirtërore, Hillari u foli mbështetësve të vet në Ohajo, kur rezultati i Teksasit nuk qe shpallur ende publikisht, duke nënvizuar se "në historinë e viteve të fundit, askush nuk qe zgjedhur President pa fituar në këtë shtet. Amerika voton ashtu siç voton Ohajo - vazhdoi - Amerika ringjallet ashtu siç ringjallet edhe fushata ime elektorale". Ish-zonja e parë kritikoi Obamën: "Është koha për zgjidhje, jo premtime, për një udhërrëfyes me përvojë në gjendje të marrë frerët e shtetit në dorë që nga dita e parë e zgjidhjes si President". Ashtu si Obama, pati diçka për t‘i thënë edhe Mek Keinit: "Një kandidat i fortë, por do ta mund".

Barak Obama

Kandidati me ngjyrë reagoi nga Teksasi, duke e vënë theksin te pushteti i kutive të votimit dhe duke e përkufizuar veten si edhe më parë, numri një. "Hillari Klinton dhe Xhon mek Kein - tha - e dinë mirë se lëvizja jonë është e pandalshme, se po shkruajmë një kapitull të ri në historinë amerikane, që sjellim me vete ndryshimin". Që të dy rivalët i cilësoi si figura të së njëjtës politike, që i përket së djeshmes, dhe shtoi se "vetëm ne jemi në gjendje që ta bashkojmë vendin". Por gjatë kësaj ndërhyrjeje, si gjithnjë tërheqëse dhe plot frymëzim, senatori me ngjyrë nuk nxori në pah pikat kryesore të programit të vet, një kritikë që mediat po ia drejtojnë gjithnjë e më shpesh. Pas dështimit në Ohajo, një shtet punëtorësh e në krizë, mesazhi i Obamës mund të mos mjaftojë më. Jo rastësisht Hillari vërejti se "çasti" tashmë ka shkuar në anën e saj. Trashëgimtari i zi i Kenedit deklaroi me siguri se marshi i tij i pandalshëm do të riniste të martën në Misisipi dhe Uajoming. Por incidenti i Ohajos ngriti re të forta dyshimi mbi aftësinë e tij për ta mundur ish-zonjën e parë në shtetet kyçe industriale, ku makina e partisë, ende në duart e ish-presidentit Klinton, ushtron kontroll më të madh në elektoratin demokrat.

Të thënat dhe të pathënat e fushatës

Shtypi: Skrivanitë dhe darka në banjë

Gjatë javëve të shkuara, ka ndodhur që jo rrallë Hillari të ashpërsojë marrëdhëniet me shtypin (përse fyen Çelsin, përse mbështet Obamën...). Kështu që në çastin kur të martën në mbrëmje, stafi i fushatës së saj zgjedhore i sistemoi gazetarët që ndiqnin ish-zonjën e parë në një banjë burrash në Austin të Teksasit, askush nuk u habit shumë. Bëhet fjalë për hakmarrje apo keqorganizim? Askush nuk mund ta thotë me siguri. Ajo që dihet është se (mund të vërehet lehtë edhe në foto) skrivanitë e gazetarëve u vendosën fare pranë objekteve të porcelanit që i njohim shumë mirë të gjithë. Aty iu shërbye edhe darka. Por të paktën askujt prej tyre nuk i mungoi lidhja me internetin.

Sfidë ëndrrash

Sfida historike për kandidaturën presidenciale të demokratëve mes Barak Obamës, afro-amerikan, dhe Hillari Klinton, grua, po u shfaqet njerëzve në ëndrra. Janë të panumërt ata që, madje edhe në pjesë të tjera të globit, po i shohin në ëndërr dy kandidatët. Dhe qofshin ëndrra të bukura apo makthe, tani janë të shumtë ata që po i rrëfejnë: shkrimtarja 31-vjeçare kanadeze, Shila Heti, ka hapur në internet dy site, "Ëndërroj për Barak Obamën" dhe "Ëndërroj për Hillari Klinton". Ka ftuar të gjithë që të tregojnë ëndrrat mbi secilin nga kandidatët. Brenda dy javësh kanë mbërritur dhjetëra e dhjetëra rrëfime, nga të katra anët e globit.

Shkopinj bejsbolli dhe thika

Përballja mes Hillari Klinton e Barak Obamës është aq e ndezur sa mbështetësve të njërës apo tjetrës palë u ka ndodhur që të humbasin kontrollin e të vënë në përdorim duart e këmbët - edhe armët. Gjatë debatit që dy kandidatët zhvilluan më 26 shkurt, një 40-vjeçar nga Karolina e Jugut ka goditur me shkop bejsbolli një të afërm të tijin. Agresori i tregoi sherifit të zonës se shihnin që të dy debatin në televizor dhe e gjetën veten të mbërthyer në një grindje me fjalë, e cila më pas përfundoi në kacafytje. Dhe nuk është ngjarja e vetme e këtij lloji. Rreth dhjetë ditë më parë, në Pensilvani, 28-vjeçari Antonio Ortiz, një mbështetësh latino-amerikan i Hillari Klinton, goditi me thikë të kunatin 41- vjeçar Shon Shurels, që bën tifozllëk për Obamën. Shurels kishte thënë me ironi për ish-zonjën e parë se, "Obama po e bën çikë e thërrime". Ortiz i qe përgjigjur: "Obama nuk është me këmbët në tokë". Që të dy një çast më vonë gjenden në kuzhinë të rrethuar nga enë kuzhine, thika, lugë e pirunë. Ortiz ka rrëmbyer dhe ia ka ngulur të kunatit në stomak. Gjithsesi në të dyja rastet kanë qenë agresorët ata që kanë shoqëruar viktimat në urgjencë.

Bush, i akuzuar teorikisht

Përveç se votuan në fazën paraprake të zgjedhjeve presidenciale, banorët e Bratëllboros, një konte e Vermontit, para dy mbrëmjesh, nëpërmjet një rezolute vendosën të akuzonin zyrtarisht Xhorxh Bushin dhe Dik Çenein për "krime kundër Kushtetutës". Teorikisht, nëse Presidenti dhe zëvendësi i tij vënë këmbë në këtë vend, mund të përfundojnë të arrestuar. Në favor të këtij vendimi u shprehën 2.025 zgjedhës dhe hodhën poshtë 1.795 të tjerë. Në të vërtetë bëhet fjalë për një votim simbolik, pasi prokurori lokal nuk ka autoritet për të urdhëruar arrestimin. Edhe një tjetër konte e Vermontit ka aprovuar të njëjtin vendim. Bushi nuk ka shkuar kurrë në Vermont që kur është zgjedhur President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 2001.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›