E Diel, 1 Nëntor 2026

WBA refuzon Luan Krasniqin

Shpresat e Luan Krasniqit për të boksuar për titullin e kampionit të botës sërish nuk janë realizuar. Promotori i kosovarit, Klaus Peter-Kohl, kishte bërë një kërkesë pranë Federatës Botërore të Boksit (WBA), që kampioni i aktual i brezit WBA, Ruslan Çagaev, ta mbrojë vullnetarisht titullin përballë Luan Krasniqit, në një sfidë që ishte parashikuar të zhvillohej më 26 prill. Megjithatë, presidenti i WBA-së, Xhilberto Mendoza, ka refuzuar kërkesën, duke vendosur që Çagaev ta mbrojë titullin kundër sfiduesit zyrtar, rusit Nikolai Valuev. "Pas analizës së të gjitha fakteve, ne vendosëm të refuzojmë kërkesën e klubit ‘Universum‘. Ne kërkojmë që promotorët e Çagaevit dhe Valuevit të na paraqesin brenda 30 ditëve një marrëveshje për zhvillimin e ndeshjes", ka bërë të ditur Mendoza përmes një letre zyrtare.

Ky lajm i keq për Krasniqin e ka gjetur atë në një kamp stërvitor në Austri. 37-vjeçari ka shprehur zhgënjimin e tij pas këtij refuzimi (i dyti për vitin 2008). "Një herë refuzimi i Dimitrenkos dhe tani kjo. Unë thjesht doja të boksoja, por duket se nuk do të ndodhë", është shprehur Krasniqi për faqen zyrtare në internet. Sipas boksierit kosovar, se çfarë do të ndodhë me të ardhmen, do të tregojnë ditët dhe javët në vijim, pasi ai nuk ka asnjë zgjidhje. "Jam pak i tronditur. Tani më duhet të që në qetësi së bashku me të afërmit e mi të shohim se çfarë do të ndodhë", përfundoi Krasniqi. Javë më parë, ai është tërhequr nga kandidatura për të luftuar për titullin vakant të versionit EBU kundër britanikut Met Skelton: arsyeja ishte se kosovari është futur në Top 15 e versionit WBA. Me të siguruar një vend në mesin e më të mirëve, klubi i tij "Universum" kishte aplikuar që kampioni i WBA-së, Çagaev, ta mbrojë vullnetarisht titullin kundër Krasniqit. Muaj më parë edhe ukrainasi Aleksandër Dimitrenko ishte tërhequr nga përballja me boksierin junikas, e vlefshme për titullin vakant të kampionit evropian. Arsyeja e tërheqjes së Dimitrenkos ishin paratë, pasi ai nuk ishte i kënaqur me faktin që Krasniqi do të përfitonte më tepër para. Karriera e Krasniqit u vendos në dyshim në korrik të vitit 2007, kur humbi me "knock-out" teknik njërin nga meçet më të rëndësishme të karrierës së tij: atë kundër amerikanit Toni Tompson, ku fitorja do t‘i siguronte përballjen për titullin e kampionit të botës në versionin WBO.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›