Vitor Sá, kundërshtari i Qatos për titullin kampion bote WBF
Kreshnik Qato ka njohur kundërshtarin e supersfidës së 4 prillit, ku do të hipë në ring për titullin e kampionit të botës në version WBF, si dhe për titullin mesdhetar të Federatës WBC. Rivali i tij do të jetë portugezi Vitor Manuel Ferreira de Sá. 34-vjeçari është përcaktuar me short dhe ai do të dyluftojë me Qaton për dy brezat e peshës së mesme. Boksieri portugez, i njohur shkurt si Vitor Sá, ka lindur në Lisbonë më 13 mars 1973 dhe në karrierën e tij numëron mbi 50 ndeshje, por vetëm në 16 prej tyre ai ka hipur në ring me statusin e boksierit profesionist. Në këto 16 ndeshje, ai ka korrur 13 fitore (vetëm 1 me Knock-Out), ndërsa tri përballjet e tjera i ka humbur. Për 7 vite radhazi, nga viti 1998 deri në 2004-ën, vit kur ka fituar gjithashtu edhe Kupën e Portugalisë në boks, ai është shpallur kampion i Portugalisë. Një tjetër sukses i Vitor Sá ka qenë fitimi i titullit kampioni iberik, i arritur në 2005-ën, përpara se të bëhej boksier profesionist. Portugezi, i cili renditet i 135-ti në botë, ndërmjet 955 boksierëve të peshës së mesme, është 172 centimetra i gjatë dhe peshon 72 kg. Ndeshja e 4 prillit 2008, që do të zhvillohet në Tiranë, në orën 20:00, do të transmetohet direkt nga Televizioni Publik Shqiptar (TVSH).
WBC renditet si federata më e mirë në sportin e boksit dhe qendrën e ka në Meksikë. Kohët e fundit, ajo ka themeluar edhe një titull të ri, të quajtur "WBC Mesdhetar", që përfaqëson rreth 22 shtete, ndër të cilët edhe Shqipëria. Ky është një titull që do t‘i japë Shqipërisë shansin e madh për të qenë realisht pjesë e familjes së madhe të boksit.