E Diel, 1 Nëntor 2026

Hulier këshillon yjet: Qëndroni aty ku jeni!

Ish-trajneri i Liverpulit dhe Lionit, Zherard Hulier, i ka këshilluar yjet e rinj të Francës (Samir Nasri, Karim Benzema dhe Hatem Ben Arfa), që t‘u rezistojnë tundimeve nga klubet jashtë vendit. Mançester Junajted është vënë në gjurmët e 20-vjeçarit Benzema dhe 21-vjeçarit Ben Arfa, ndërsa Reali i Madridit dhe Interi kanë shprehur interesim për fantazistin 20-vjeçar të Olimpik Marsejës, Nasri. Sipas Hulier, treshja e lojtarëve të talentuar, që do të luajnë edhe në Euro 2008 gjatë verës, do të merrnin vendimin e duhur nëse do të qëndronin në shtëpi. "Të tre këta futbollistë do të bënin gabim nëse do pranonin të luanin në një kampionat tjetër evropian në këto momente", tha ai për "L‘Equipe". "Nasri, Ben Arfa dhe Benzema luajnë në skuadrat më të mira franceze dhe për këtë arsye ata mund të rriten edhe më shumë në lojën e tyre, të ecin përpara dhe të bëjnë hopin cilësor. Ata duhet të qëndrojnë dhe të fitojnë më shumë besim në kualitetin e tyre. Largimi nga Liga 1 nuk duhet të bëhet thjesht për para".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›