E Diel, 1 Nëntor 2026

Togat e zeza, tani me shoqatë

Edhe gjykatësit tashmë ndiejnë nevojën për të mbrojtur më mirë interesat e tyre, por edhe për të shprehur sa më gjerësisht mendimet për reformën në drejtësi dhe jo vetëm. Dje, në ambientet e Hotel Tiranës në kryeqytet, rreth 85 gjyqtarë të pranishëm në një takim të veçantë, kanë vendosur krijimin e Shoqatës së Gjyqtarëve, si dhe kanë zgjedhur stafin drejtues të saj. Pjesëmarrësit në takim ishin punonjës të gjykatave të rretheve të ndryshme dhe kanë shprehur të gjithë të njëjtin shqetësim: Nevojën për t‘u përfaqësuar në një mënyrë tjetër dhe jo më thjesht nëpërmjet Konferencës Gjyqësore, organizimi i së cilës është bërë jo rrallë objekt debatesh midis gjykatësve.

Organizatorët e takimit të djeshëm janë shprehur se diskutimet për nevojën e krijimit të kësaj shoqate kanë qenë të hershme. Sipas tyre, organizata të tilla ekzistojnë në të gjitha vendet e Evropës dhe kanë si synim mundësinë e kompaktësimit të qëndrimeve të gjyqtarëve, si dhe mbrojtjen e interesave dhe pavarësisë së tyre. Gjithsesi për arsye që janë konsideruar objektive nga ana e organizatorëve, ideja është konkretizuar vetëm dje, kur pjesëmarrësit në takim, përveç institucionalizimit të krijimit të "Shoqatës kombëtare të gjyqtarëve" kanë miratuar edhe disa nga aktet themelore të saj. Ndër të tjera, themeluesit e shoqatës janë kujdesur që ajo të mos bjerë nën ndikimin e drejtuesve të gjykatave, por të mbetet "pronë" e gjyqtarëve të thjeshtë. Për këtë arsye, në një pikë të statutit është përcaktuar se kryetarët e gjykatave nuk duhet të zënë më shumë se 30% të kryesisë së shoqatës, duke u dhënë kështu më shumë hapësirë jo vetëm përfaqësimi, por edhe drejtimi gjyqtarëve të thjeshtë.

Në konceptin e themeluesve të saj, shoqata do të ketë si synim përfaqësimin e gjykatësve nëpërmjet fjalës dhe votës së tyre për të gjitha problemet që shqetësojnë gjyqësorin aktualisht dhe jo ashtu sikurse bëhet në Konferencën Gjyqësore ku ata përfaqësohen nëpërmjet personave të zgjedhur. Ndërkaq, shoqata vjen në një moment mjaft të rëndësishëm për reformën në drejtësi. Megjithëse nuk është shpallur publikisht, shoqata duket se do të jetë një zëdhënëse e fortë e mendimeve që kanë vetë gjyqtarët për reformën në drejtësi, duke nisur që nga ndryshimet në legjislacion e deri te ndryshimet strukturore apo ato të procedurave ligjore. Shoqata do të jetë e hapur për të gjithë gjyqtarët që duan të anëtarësohen në të dhe organizatorët do të vazhdojnë punën për zgjerimin e anëtarësisë për rreth një muaj, kohë kur është menduar të zhvillohet asambleja e përgjithshme e shoqatës.

Zgjedhjet

Manjola Bejleri kryetare e shoqatës

"Shoqata kombëtare e gjyqtarëve" ka zgjedhur dje edhe stafin e saj drejtues. Fillimisht gjyqtarët kanë votuar për këshillin drejtues, duke zgjedhur 15 anëtarët e tij: Rraman Qinami, Bledi Qorri, Gjin Gjoni, Bruna Kadi, Marina Raboshta, Manjola Bejleri, Eriol Rroshi, Flamur Kapllani, Fadri Islamaj, Bashkim Dedja, Ariana Caco, Rexhina Merla, Kastriot Selita, Ndue Gjura dhe Ibrahim Hoxha. Nga këta anëtarë u votua më pas për zgjedhjen e kryetarit, ku fitues me 22 vota rezultoi gjyqtari Gjin Gjoni. Ky i fundit u tërhoq për t‘i lënë hapësirë një drejtuesi tjetër dhe në mirëkuptim u vendos që drejtuese e përkohshme të ishte gjyqtarja Manjola Bejleri, e cila ishte renditur e dyta në votim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›