E Diel, 1 Nëntor 2026

Lens Armstrong, sportisti më i madh në histori

Lens Armstrong është sportisti më i mirë i të gjitha kohërave në sportet individuale. 7 herë fituesi i "Turit të Francës" kryeson klasifikimin e përpiluar nga tabloidi "The Sun", ku mes sporteve të tjera tenisi përfaqësohet me 3 sportistë, automobilizmi (1), boksi (1), golfi (2), por nuk mungojnë as një kampion i padiskutuar i shigjetave dhe një kampion i bilardos. 36-vjeçari Armstrong, i cili është larguar nga çiklizmi pas triumfit në "Turin" e vitit 2005 (fitorja e shtatë radhazi në garën prestigjioze) është cilësuar si "më i miri mes më të mirëve". Në vendin e dytë është pozicionuar golfisti Tajger Vuds, që njihet ndryshe edhe si sportisti më i paguar në botë. Në komentin për amerikanin lexohej: "Dominon në fushat e golfit prej aq shumë vitesh, saqë shumëkush e harron se është vetëm 32 vjeç". Medalja e bronzit është për legjendën e boksit, Muhamed Ali, e sipas gazetës, "nëse nuk do të kishte pësuar humbjet me Xho Frezer dhe Ken Norton, do të ishte padyshim më i madhi nga të gjithë". Vendi i katërt është rezervuar për Mikael Shumaher, njeriu që ka ndryshuar sportin e Formula 1, duke e bërë edhe tejet të mërzitshëm, pasi në fund fitues ishte vetëm ai. I pesti Pit Sampras, rekordi i të cilit me 14 tituj në "Grand Slem" reziston edhe sot. Gjithsesi, amerikani konkurrohet fuqishëm nga Roxher Federer (vetëm i nënti në klasifikim). Zvicerani është etiketuar si njeriu që do të bëhet "tenisti më i madh i të gjitha kohërave". Në klasifikim figurojnë edhe kampioni i shigjetave, Fil Tejlor (në vendin e gjashtë), i cili është shpallur 13 herë kampion bote në këtë disiplinë, një rekord që vazhdon të mos thyhet), golfisti Xhek Niklaus (i teti) me 18 tituj të fituar ndërmjet viteve 1962 e 1986 dhe mjeshtri i bilardos, Stivën Hendri (i dhjeti). Skocezi ishte një "makinë fitoresh" në vitet ‘90, duke u shpallur kampion 7 herë brenda dekadës. E vetmja femër në klasifikim është tenistja Stefi Graf (e shtata), që me 22 titujt e saj ka qenë praktikisht e pamposhtur gjatë viteve ‘80 dhe në fillim të viteve ‘90.

Klasifikimi i plotë:

1 - Lens Armstrong

2 - Tajger Vuds

3 - Muhamed Ali

4 - Mikael Shumaher

5 - Pit Sampras

6 - Fil Tejlor

7 - Stefi Graf

8 - Xhek Niklaus

9 - Roxher Federer

10 - Stivën Hendri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›