E Diel, 1 Nëntor 2026

Një dënim i përjetshëm për vrasjen e Pasho Zotaj

"Fajtorë për vrasjen e Pasho Zotajt në vitin 2004". Ky ka qenë vendimi i shqiptuar dje nga kryesuesi i trupit gjykues në procesin ndaj vëllezërve Leonard dhe Alban Elezaj dhe shokut të tyre, Erion Borakaj, në Gjykatën e Krimeve të Rënda në kryeqytet. Për veprat penale të "Rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit në bashkëpunim" dhe "Vrasjes me paramendim", të pandehurit janë dënuar respektivisht, Leonard Elezaj me burgim të përjetshëm, Alban Elezaj me 21 vjet heqje lirie dhe Erion Borakaj me 21 vjet burg. I vetmi i pandehur që ndodhej në sallë, Alban Elezaj, dhe që u akuzua si personi që kreu detyrën e shoferit për transportimin e pengut, e priti qetësisht vendimin e gjykatës, megjithëse familjarët shprehën pakënaqësinë e tyre.

Ngjarja për të cilën u dënuan të pandehurit ka ndodhur në qytetin e Vlorës, katër vite më parë. Sipas provave dhe argumenteve që u sollën gjatë gjykimit, rezultoi se vëllai i viktimës u kishte pasur autorëve të krimit një borxh prej 100 mijë eurosh. Pasho Zotaj kishte dy javë që ishte kthyer nga shteti fqinjë Greqi, ku kishte vuajtur dënimin prej 7 vjetësh, nën akuzën e vjedhjes së një banke. Vëllezërit Elezaj dhe Erion Borakaj e kanë ndjekur me makinë dhe më pas e kanë kapur në vendin e quajtur Fushë-Mamurras, midis fshatit Gjormë dhe Kote të rrethit të Vlorës. Sipas akuzës, ata e kanë rrahur atë dhe e kanë mbajtur peng deri sa vëllai i tij të sillte lekët e borxhit. Viktima ka tentuar t‘u shpëtojë dhe të largohet me vrap, por të pandehurit e kanë arritur dhe e kanë qëlluar me pistoletë duke i marrë jetën. Pastaj ata janë larguar me nxitim, duke i shpëtuar ndjekjes së policisë.

Akuza deklaroi gjatë procesit se ideatori i pengmarrjes së Zotajt kishte qenë Leonard Elezaj dhe kërkoi për të dënimin me burgim të përjetshëm. Në vendimin përfundimtar, gjykata kishte gjetur të bazuara kërkesat e prokurorit të çështjes, duke dhënë edhe nivelin e dënimeve pothuajse të njëjtë me këto kërkesa. Aktualisht me masën e sigurisë arrest në burg ndodhet vetëm Alban Elezaj, ndërsa vëllai i tij Leonardi dhe Erion Borakaj u gjykuan në mungesë, pasi janë shpallur persona në kërkim nga policia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›