E Diel, 1 Nëntor 2026

"Qeveria të kontrollojë mbrojtjen në punë"

Shqetësimi për situatën e rëndë të krijuar nga mungesa e sigurisë në punë në minierën e Bulqizës, por dhe në sektorë të tjerë si: ndërtim, uzina kimike dhe mekanike etj., e cila është shoqëruar herë pas here edhe me viktima, është shprehur dje dhe nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. "Me keqardhje, KSHH-ja vëren se masat parandaluese nga aksidentet janë të dobëta dhe se reagimi i institucioneve përgjegjëse është i pjesshëm dhe vetëm kur ndodhin aksidentet", thuhet në një deklaratë të shpërndarë nga kjo organizatë. Nëpërmjet këtij reagimi synohet të sillet në vëmendje të qeverisë shqiptare, Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Punëve dhe Çështjeve Sociale se e drejta për kushte të drejta pune është një e drejtë themelore e sanksionuar që në Paktin e të Drejtave Ekonomike, Sociale dhe Kulturore. Bazuar në këtë pakt, qeveria shqiptare ka detyrimin që të eliminojë rreziqet dhe kushtet e pashëndetshme në vendet e punës dhe kur kjo nuk është e mundur, të ulë këto rreziqe në mënyrë të mjaftueshme, të nxjerrë rregullore shëndeti dhe sigurimi.

Nga ana tjetër, KSHH ka paraqitur edhe rezultatet e vëzhgimeve të bëra nga anëtarët e saj në terren. Sipas këtyre vëzhgimeve "në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shkelet rëndë e drejta për kushte pune dhe nuk janë marrë masa për mbrojtjen në punë, vënien para përgjegjësisë të punëdhënësit dhe dëmshpërblimin e të dëmtuarve ose familjarëve të tyre". Por në të njëjtën kohë është evidentuar edhe mosnjohja e plotë e akteve ligjore dhe nënligjore që mbrojnë punonjësit nga vetë ata. Kjo mangësi shfrytëzohet më pas nga punëdhënësit, të cilët formalisht pretendojnë se ua kanë bërë të ditura rreziqet punëtorëve dhe se ata nuk kanë qenë të kujdesshëm në punë. Në këtë mënyrë, shpesh herë faji për aksidentet u ngarkohet viktimave, që për më tepër e kanë të vështirë të thonë versionin e tyre, si për shkak të frikës se mos humbasin vendin e punës, ashtu edhe sepse mund të kenë humbur jetën.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit, duke marrë shkas nga vdekja e fundit në minierën e Bulqizës, i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare të ndërmarrë hapa konkretë dhe të shpejtë në drejtim të kontrollit të respektimit të mbrojtjes në punë, jo vetëm në minierën e Bulqizës, por edhe në sektorët e ndërtimit, të industrisë së këpucëve, industrisë kimike etj. Rekomandime ka edhe për institucionet përgjegjëse që të ushtrojnë kontroll te punëdhënësit për të parë shkallën e kualifikimit të punëmarrësve, ka informime periodike për kushtet e punës dhe rreziqet e tyre dhe nëse kanë marrë masat e nevojshme për të shmangur këto rreziqe. Në 16 muajt e fundit, vetëm në minierën e Bulqizës kanë humbur jetën 7 minatorë, si pasojë e mungesës së sigurisë në punë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›