E Diel, 1 Nëntor 2026

Pretenca, kërkohen 12 vjet burg për Pojanën

E akuzuar për vrasjen e burrit të saj, 45-vjeçarja Aishe Pojana nga Baldushku i Tiranës rrezikon të kalojë 12 vjet në burg. Dje në Gjykatën e Tiranës janë lexuar konkluzionet përfundimtare të akuzës, ku prokurori ka kërkuar shpalljen fajtore të saj dhe dënimin me 12 vjet heqje lirie. Sipas pretencës është kërkuar që të merret parasysh si rrethanë lehtësuese vetëm fakti që e pandehura kishte reaguar si shkak i dhunës së vazhdueshme të ushtruar nga i shoqi. Pojana e akuzuar për veprën penale të "Vrasjes me dashje", u arrestua në 16 prill të vitit të kaluar. Në fillim të procesit gjykata i mohoi të pandehurës gjykimin e shkurtuar, pasi prokuroria ende dyshonte se ajo kishte pasur bashkëpunëtorë. Por gjatë procesit gjyqësor, ku u paraqitën për të dëshmuar edhe fëmijët e të pandehurës, nuk u provua bashkautorësia me ndonjë person tjetër. Tashmë fjalën e ka mbrojtja për të dhënë konkluzionet përfundimtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›