Merren peng dy adoleshentë, nuk paguan lekët në një loto sportive
Loja në pikat e basteve sportive i ka kushtuar shtrenjtë dy 17-vjeçarëve në qytetin e Fushë-Arrëzit, të cilët pasi kanë ngelur borxh te punonjësit të këtij lokali dhe nuk kanë pasur lekë të paguajnë janë marrë peng për disa orë nga ky i fundit. Eshtë dashur ndërhyrja e policisë që të lirohen dy pengjet. Autorët e kësaj ngjarjeje, punonjësi i lokalit së bashku me një kushëririn e tij, kanë përfunduar në pranga. Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme rreth orës 10:30 minuta kur Vilson Doda dhe shoku i tij Lulzim Kolgjoka, që të dy banues në qytetin e Fushë-Arrëzit kanë qenë duke kaluar pranë një lokali loto sport dhe në këtë moment punonjësi i tij ka dalë jashtë dhe ka debatuar me dy 17-vjeçarët, duke u kërkuar atyre që të paguajnë një borxh që kishin të pashlyer. Pasi kanë debatuar për disa minuta, punonjësi i lokalit loto sport, Nikolin Gjoni, 29 vjeç, i ka marrë dy 17 vjeçarët, duke i futur me forcë brenda lokalit. Më pas Nikolin Gjoni i ka telefonuar shokut të tij Arjan Lleshit, që të vinte me makinën e tij për t‘i transportuar dy 17-vjeçarët në një vend të fshehtë. Vilson Doda dhe Lulzim Kolgjoka, të cilët mbaheshin peng janë futur me forcë në bagazhin e makinës tip "Benz 250" me targë TR 2681M, pronë e Arjan Lleshit. Por në momentin që po i fusnin brenda bagazhit, njëri nga personat, Lulzim Kolgjeka, ka arritur t‘u ikë me vrap pengmarrësve. Pas kësaj, pengu Vilson Doda, është mbajtur brenda makinës dhe është dërguar në periferi të qytetit të Fushë-Arrëzit. Dy pengmarrësit Nikolin Gjoni dhe Arjan Lleshi i kanë telefonuar Pjerin Mihllit, që është djali i tezes i Vilson Dodës, që mbahej peng, duke i kërkuar që të sillte parat që Vilsoni u kishte borxh, që ta linin më pas të lirë. E gjithë kjo ngjarje është denoncuar në Policinë e Komisariatit Pukë nga familjarët e Vilson Dodës dhe pas marrjes së denoncimit dhe identifikimit të vendndodhjes, Policia e Pukës ka bërë të mundur lirimin e Vilson Dodës, si dhe prangosjen e dy autorëve të pengmarrjes, Nikolin Gjoni dhe Arjan Lleshi. Ndaj dy të arrestuarve, Prokuroria e Rrethit Pukë ka nisur procedimin penal për veprën penale të heqjes së paligjshme të lirisë të kryer në bashkëpunim.
Lojërat e fatit në qytetin e Fushë-Arrëzit janë bërë disa herë burim konfliktesh, të cilat janë shfaqur në mënyra nga më të ndryshmet. Një gjë e tillë pohohet dhe nga drejtues të Policisë së Komisariatit Pukë. Një ndër arsyet e këtij fenomeni mendohet të jetë dhe gjendja tepër e varfër ekonomike e kësaj zone ku shpresa e vetme për të fituar para mbeten lojërat e fatit.