Kapelo: Milan, kujdes nga Fabregas
Trajneri i Anglisë, Fabio Kapelo, duket se nuk i ndahet profesionit të opinionistit, pasi ka analizuar duelet italo-angleze të Ligës së Kampioneve. Sipas tij, Liverpuli do t‘i shkaktojë probleme Interit, ndonëse nuk është në formën më të mirë dhe është mundur nga një skuadër e kategorisë së dytë. "Liverpuli ka humbur kundër një skuadre të Kategorisë së Dytë, por meritonte të fitonte. Në Ligën e Kampioneve ata transformohen dhe në stadiumin e tyre janë të mbështetur fuqimisht nga publiku. Ka lojtarë që mund të krijojnë probleme, luan në kundërsulm ndaj duhet të trajtohet me kujdes. Unë kam thënë gjithmonë se Interi është mes tre skuadrave më të mira në Evropë, po luan mirë dhe ka lojtarë që mund të zgjidhin ndeshjen në çdo moment. Por Liverpuli është një skuadër që luan sipas sistemit italian, është e kujdesshme në mbrojtje për të kaluar shpejt para me kundërsulm. Aktualisht, trajneri po kundërshtohet nga drejtuesit e klubit, por kur luhen ndeshje të Kupave të Evropës harrohet gjithçka", tregoi Kapelo këndvështrimin e tij rreth sfidës së parë italo-angleze.
Për trajnerin italian të Anglisë, sfida më e vështirë do të jetë ajo e Milanit, që përballet me Arsenalin e të rinjve. "Sipas meje, Milani ka ndeshjen më të vështirë të mundshme, pasi aktualisht, Arsenali po luan futbollin më të bukur në Evropë. Ka një stadium fantastik, ndoshta më të mirin në Evropë. Luan me pasime të shkurta, ka pjesëmarrje kolektive në fazën e sulmit, por në të njëjtën kohë nuk është e lehtë t‘i gjesh të papërgatitur në kundërsulm. Unë i kam parë në dy ndeshje të munden nga Totenhemi dhe Mançester Junajtid. Nëse Milani do të paraqitet mirë, nuk duhet të lërë të lirë Fabregas", ishte komenti i Kapelos mbi këtë sfidë. Sipas tij, Roma ka më pak shanse për të kaluar turin përballë Realit të Madridit, ndonëse në një ditë të mirë mund të mposhtë çdo skuadër. "Mendoj se Roma mund të bëjë një lojë të mirë ndaj Realit të Madridit, por kjo skuadër transformohet në Itali dhe zhvillon gjithmonë ndeshje të shkëlqyera. Guti është personi që organizon çdo aksion, ndërsa Van Nistelroi nuk duhet lënë kurrë i lirë. Nëse Roma hidhet në sulm për të shënuar menjëherë, do të rrezikojë kundërsulmet që Reali di t‘i aplikojë mjaft mirë. Roma është një skuadër që bazon gjithçka te shpejtësia dhe loja kolektive, nëse nuk është në formën e duhur fizike, nuk është më e njëjta. Toti duhet të kthehet në formën më të mirë për të qenë vendimtar", komentoi Kapelo.