Interi në telashe për Materacin
Katania ka kërkuar dje tri pikët në tavolinë për ndeshjen e zhvilluar në fundjavë me Interin, për shkak të aktivizimit të Marko Materacit në sfidën e fituar nga zikaltërit me rezultatin 2-0. Sipas skuadrës jugore, futbollisti nuk mund të aktivizohej pasi kishte munguar në ndeshjen e kombëtares kundër Portugalisë për shkak të një dëmtimi. Rregullorja e përfaqësueses italiane bën të qartë që në raste të tilla, futbollisti i dëmtuar nuk duhet të aktivizohet në javën pasardhëse, gjë që komplikon paksa situatën e klubit që drejtohet nga Morati. "Lojtari që për një dëmtim, apo për një pamundësi detyrohet që të mos i përgjigjet ftesës së kombëtares, është i detyruar të mungojë në takimin pasardhës të kampionatit", shkruhet në rregulloren italiane. Por sipas zikaltërve, Materaci është paraqitur në grumbullim dhe më pas kanë qenë mjekët që kanë vendosur që lojtari të kthehej përsëri tek ekipi i tij. Mbrojtësi arriti të riaftësohej në kohë për të zbritur në fushë mes titullarëve në takimin e së dielës. Çështja ka kaluar në duart e gjykatësit sportiv Xhanpaolo Tosel, por mediat italiane janë të bindura se ky i fundit do të refuzojë kërkesën e Katanias, pikërisht për faktin se vendimin për mosaktivizimin e lojtarit në miqësoren e Italisë e ka marrë stafi mjekësor i kombëtares.