Rama: Kriza aktuale ka në zemër krizën energjetike
Rritja e çmimit të bukës dhe e produkteve të tjera ushqimore nuk ka shumë lidhje me "koniunkturën ndërkombëtare", sesa me dështimin e politikës së ndjekur për 17 vjet në Shqipëri. Kështu është shprehur dje kreu i PS-së, Edi Rama, gjatë një takimi në Durrës, ku prezantoi konkluzionet e fazës së parë të Dialogut me Shqipërinë, për energjinë dhe ujin. "Nuk jemi para asaj që thotë Kryeministri - koniunkturës ndërkombëtare, të cilës nuk i bëjmë dot ballë - Jemi përpara dështimit të plotë të një politike të vjetër lidhur me bujqësinë, blegtorinë dhe fshatin", tha Rama. Sipas tij, "Jemi përpara një katastrofe të krijuar nga politika e vjetër. Kjo është arsyeja që sot ne nuk arrijmë dot të plotësojmë asnjë standard të ngjashëm me standardet e reja ku duam të integrohemi dhe as u përafrohemi këtyre standardeve për shkak se nuk kemi atë që ne mund të ndërtojmë".
Rama fajësoi qeverinë e djathtë për krizat e përsëritura energjetike, duke akuzuar Kryeministrin për demagogji. "Në vitin 2005 kur dimri erdhi me një krizë energjetike të pangjashme me ato të viteve më parë, Kryeministri i Shqipërisë na tha se fajin e kishin paraardhësit dhe se 2006 do të ishte viti i daljes nga kriza. Edhe në 2006-ën, gjendja u përkeqësua dhe Kryeministri në shprehjen më kuptimplotë të politikës së tij, të një gënjeshtre që mbulon një gënjeshtër tjetër premtoi se në 2007 jo vetëm do t‘i plotësonim nevojat për energji të popullatës, por edhe do të ekspertonim energjinë. Unë nuk e di se ç‘do të thotë në 2008, por të jeni të sigurt se kriza shumëplanëshe që ka përfshirë Shqipërinë që në zemër të saj ka krizën energjetike nuk ka asnjë gjasë të lehtësohet", tha Rama.