PSD: Qeveria të zgjidhë krizën ose të ikë
Socialdemokratët e shohin zgjidhjen e krizës së çmimeve te largimi i qeverisë "Berisha". Nënkryetari i këtij partie, Engjëll Bejtaj, konstatoi se thellimi gjithnjë e më i madh i krizës ekonomiko-sociale përbën një shqetësim në rritje për gjithë opinionin publik në vend. "Rritja e pakontrolluar e çmimeve, në mënyrë të veçantë të bukës, energjisë elektrike, karburanteve, mosrealizimet e dukshme në investime, si dhe ulja e ritmeve të zhvillimit ekonomik janë tregues të drejtpërdrejtë të lulëzimit të krizës", nënvizoi Bejtaj. Sipas tij, një qeveri që nuk është në gjendje të zgjidhë krizën, duhet të largohet. Nënkryetari i PSD-së, shtoi se paaftësia për të afruar zgjedhje të lira dhe të ndershme vërtetuar kjo me zgjedhjet e shkurtit ‘07, me bllokimin e procesit të bërjes së kartave të identitetit, si dhe me bllokimin e reformës zgjedhore është një arsye tjetër që kjo qeveri e paaftë të largohet.