Vasili: Rama pranon se shiti interesat e së majtës
Drejtuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim u janë kundërpërgjigjur deklarimeve të kryetarit socialist Rama. Sekretari i Përgjithshëm Petrit Vasili vlerësoi se lideri i socialistëve konfirmoi atë të vërtetë të madhe që denoncoi LSI-ja dhe shumë parti të tjera parlamentare. "Se lidershipet PD-PS prej kohësh po punojnë në mënyrë të fshehtë për të realizuar një komplot të ri ndaj zgjedhjeve në Shqipëri", sqaroi ai. Sipas Vasilit, ky mentalitet nuk është i ri, por një qëndrim prej 17 vjetësh i këtyre dy forcave të vjetra për t‘u imponuar shqiptarëve një regjim dypartiak të ndërtuar mbi monopolet politike, ekonomike dhe mediatike, si dhe për të uzurpuar institucionet. "Duke pranuar publikisht sot se është në bisedime intensive me PD-në për reformën zgjedhore, kreu i PS-së konfirmoi pretendimet e LSI-së", argumentoi Vasili. LSI mendon se në këtë mënyrë këto lidershipe marrin publikisht dhe hapur përgjegjësinë për bllokimin e ndërgjegjshëm dhe të qëllimshëm të Komisionit parlamentar të Reformës Zgjedhore. Sakaq, Vasili shtoi se ky konspiracion i lidershipit PD-PS jashtë institucioneve që kanë përgjegjësinë kushtetuese dhe ligjore për realizimin e një reforme që synon të kënaqë interesa të ngushta të këtyre dy partive, është një goditje e rëndë ndaj vetë demokracisë në Shqipëri, ndaj institucioneve parlamentare dhe zhvillohet në mungesë të plotë të transparencës ndaj opinionit publik. LSI e konsideron më tej këtë veprim si vazhdim të politikës së vjetër të faktit të kryer në emër të gjoja reformave që kërkon vendi. Braktisja nga ana e PS-së e platformës së bashkëpunimit të partive opozitare të majit 2006, që si shtyllën e saj kryesore ka qëndrimet e përbashkëta dhe unike për reformën zgjedhore, dëshmon sipas Vasilit qartë pabesinë dhe shitjen e interesave të elektoratit të majtë dhe atij mbarë opozitar, dhe për këtë lidershipi i PS-së do të mbajë gjithë përgjegjësinë. "Nuk mundet as kreu aktual i PS dhe askush tjetër t‘i kujtojë LSI-së dhe zotit Meta interesat e vendit, sepse ka qenë pikërisht LSI dhe zoti Meta që nuk u bënë pjesë e masakrës elektorale të Dushkut", tha Vasili. Duke kujtuar edhe ftesën për Ramën dhe Berishën që në 2005 për të filluar reformën zgjedhore të papërfunduar dhe të kompromentuar rëndë edhe sot.