E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasja PD-PS mban peng banesat sociale

Këshilli bashkiak mban peng shpërndarjen e banesave sociale për të pastrehët. Një diskutim i gjatë dhe kundërshtues i këshilltarëve bashkiak të Partisë Demokratike në Durrës ka bllokuar proçesin e shpërndarjes së banesave sociale për 48 familjet e para, ndërsa strehimi mbetet një nga problemet më të mprehta sociale në qytetin bregdetar. Gjithçka ngeci në përcaktimin e një sistemi pikëzimi për përzgjedhjen e familjeve që do t‘i përfitojnë apartamentet e ndërtuara. Përtej kundërshtimeve të pambështetura në bazën ligjore për shpërndarjen e banesave sociale këshilltarët kanë tentuar të politizojnë paraprakisht proçesin, ndërsa pas një pushimi të gjatë kanë vendosur të braktisin sallën e Këshillit Bashkiak. Ecuria e shpërndarjes së banesave ka hyrë në një rrugë të vështirë, ndërsa krahët e politikës të përfaqësuar në këshill pozicionohen si kundërshtarë të njëri-tjetrit pa gjykuar se aty përfaqësojnë vullnetin e bashkëqytetarëve-votues të tyre. Në Shkozet kanë përfunduar dy objekte me 48 apartamente të cilat janë planifikuar për familjet me statusin e të pastrehëve, po që kanë minimumin e të ardhurave të nivelit jetik, pasi ata duhet të blejnë brenda një periudhe 20 vjeçare shtëpitë duke shlyer 9600 lekë çdo muaj për llogari të Entit të Banesave. Për këto apartamente bashkia ka rreth 180 kërkesa dhe prandaj kryebashkiaku Dako propozoi përcaktimin e kritereve të përzgjedhjes së përfituesve. Kriteret e propozuara nga administrata e bashkisë janë kundërshtuar nga këshilltarët demokratë dhe aleatë të tyre në këshill. Përparësi për të përfituar hyrjet kanë kryesisht familjet që sigurojnë shlyerjen e këstit mujor prej 9600 lekësh dhe ata që jetojnë në shtëpitë e ish-pronarëve. Përballë kundërshtimeve, kryetari Vangjush Dako ka kërkuar propozime konkrete për ata që do të përfitojnë nga këto hyrje të siguruara me një kredi të zbutur. Situata e krijuar do të zgjasë në kohë zgjidhjen e problemit të strehimit për 48 familje të cilat duhet të marrin pas përzgjedhjes miratimin nga ky këshill. Hapi përfundimtar i lidhjes së kontratave të përfituesve me Entin e Banesave duket i largët. Përfaqësues të shoqërisë civile që monitoruan mbledhjen e fundit të Këshillit u shprehën të habitur për nivelin e ulët të diskutimeve të këshilltarëve dhe papërgjegjshmërinë e dëshmuar në to. Ndërkaq për të zbutur problemin e strehimit bashkia e Durrësit ka dhe një tjetër projekt me Bankën Europiane për ndërtimin e 180 banesave dhe për këtë është vënë në dispozicion një shesh pranë ndërmarrjes së Ujësjellësit. Qyteti i Durrësit numëron rreth 6000 të pastrehë dhe 1100 prej tyre janë në shtëpitë e ish-pronarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›