Rama këmbëngul: PS nuk mund të vihet nën diktatin e askujt
Kreu i socialistëve, Edi Rama, insistoi dje se partia e tij nuk mund të vihet nën diktatin e askujt. Sipas tij, procesi i bashkëjetesës në një koalicion nuk mund të kondicionojë diktatin e askujt brenda koalicionit në raport me të tjerët. "Për më tepër pastaj PS nuk mund të vihet në diktatin e askujt sepse është partia më e madhe sot në Shqipëri, përfaqëson shumicën e shqiptareve dhe shqiptarëve dhe mbron interesat e vendit në një proces historik", tha Rama. Ai insistoi se nesër beteja zgjedhore do të vendosë rezultatin, por pavarësisht sesi dhe kush do të jetë fituesi i betejës zgjedhore, duhet të fitojnë shqiptaret dhe shqiptarët. "Reforma zgjedhore është një reformë shumë delikate dhe në çdo demokraci perëndimore është një reformë e cila ngjall debate të zjarrta dhe polemika të ashpra, krijon aleanca apo divergjenca të papritura, për shkak se kjo reformë prek një status quo që ka të bëjë drejtpërdrejt me politikanë, që ka të bëjë drejtpërdrejt me partitë", theksoi Rama. Ai tregoi vendosmërinë e PS-së që të realizojë këtë reformë bashkërisht, me të gjitha forcat e interesuara, për të ndryshuar status quo-n, dhe të vetëdijshëm, se ky sistem politik i përfaqësimit është tërësisht i kalbur. "17 vjet procese zgjedhore në Shqipëri na kanë treguar mjaftueshmërisht se cilat janë ato pika nevralgjike që duhen takuar dhe se çfarë duhet operuar në sistemin tonë zgjedhor të përfaqësimit", u shpreh Rama. Kreu socialist shtoi se synohet të mos bihet në batakun e politikës së vjetër, të diversioneve, të akuzave, shpifjes dhe përbaltjes reciproke. "Në këtë rol lider ne jemi të vendosur për të qenë të hapur të dialogojmë me të gjithë, t‘i dëgjojmë të gjithë, por nga ana tjetër jemi me patjetër të vendosur për të mos bërë kompromise mbi ato që gjykojmë se janë parime themelore të një reforme", argumentoi Rama. Ndërsa u ndal tek analiza e 17 viteve të trafikimit të votës, trafikimit të mandateve, trafikimit të deputetëve dhe trafikimit të vetë partive. "Pa dyshim që dyert tona janë dhe do të jenë të hapura për mikun tonë Ilir Meta dhe padyshim që unë uroj çdo ditë që miku ynë dhe miku im Ilir Meta ta kuptojë se nuk është koha e ndarjeve të vjetra, por e një bashkimi të ri", u shpreh kreu i PS-së. Duke rreshtuar se gjithashtu nuk është koha e llogarive të vogla partiake, por është koha e vënies të interesave të vendit mbi interesat e vogla partiake, se nuk është koha e kthimit në lojën e vjetër të akuzave reciproke dhe të përballjeve, që nuk kanë asgjë të përbashkët me hallet, problemet, nevojat, aspiratat dhe ëndrrat e shqiptarëve, por është koha pikërisht për t‘u marrë me këto halle, për t‘i kuptuar këto nevoja, për t‘i ushqyer këto aspirata dhe për t‘i realizuar këto ëndrra.