Lesi: Duam sistem mazhoritar
Kryetari i Lëvizjes Demokristiane, Nikoll Lesi, propozoi aplikimin e një sistemi të pastër mazhoritar. LDK ka shprehur qëndrimin për një sistem me një raund, me 100 zona zgjedhore dhe 100 deputetë. Sipas kryetarit të kësaj partie, "pakësimi i vendeve në Parlament nga 140 që është aktualisht në 100 vende, do të kursente dhjetëra milionë lekë". Lesi siguroi se ky sistem "do të ishte zgjidhja më e mirë, pasi deputetët do të zgjidhen nga votuesit dhe jo nga emrat që përcaktojnë kryetarët e partive". Gjithashtu, deputeti Lesi propozoi që "komisionet e votimit të mos përbëhen nga militantë partiakë të majtë apo të djathtë, por nga njerëz që kanë një lloj pavarësie, si gjyqtarë, prokurorë, mësues, për aq sa ata mund të jenë të pavarur nga politika".