Var veten me litarin e lopës 16-vjeçari, mister motivet
Një djalë 16 vjeç nga fshati Symiz i Korçës i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në litar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje herët në mëngjes. Aleksandri 16 vjeç, një nga gjashtë fëmijët e familjes Hysnellari, që kishte zbritur prej pak vitesh në fshatin Symiz, është gjetur i varur në një pemë disa metra larg shtëpisë së tij. Të afërmit nuk kanë pasur asnjë mundësi ta shpëtojnë, pasi vdekja kishte ndodhur disa orë përpara se ata ta merrnin vesh. Ka qenë babai i 16-vjeçarit ai që e ka parë trupin e varur në një pemë në kopshtin e fqinjit, disa metra mbi shtëpinë e tyre. I mituri kishte zgjedhur një shtëpi të braktisur për të kryer vetëvrajsen. Ai kishte marrë nga hauri litarin e lopës dhe me të kishte bërë lakun. Ka qenë ora 5:30 e mëngjesit kur Aleksandri 16-vjeçar u gjet i varur. Nëna e tij, Viktorie Hysellari, mes lotëve tregon se djali ishte larguar nga shtëpia pasditen e së mërkurës. "Ai doli nga shtëpia si zakonisht. I fundit që e pa gjallë ishte i ungji, i cili i kërkoi t‘i blinte cigare në dyqan. Kur ra nata, nuk u shqetësuam shumë, sepse ai ka qenë tip i qetë. Pritëm ca orë dhe unë shkova nga motra ta kërkoj, se menduam se mos ka shkuar për të fjetur me kushërinjtë. Nuk e gjetëm. Kërkuam gjithandej, por vetëm në mëngjes, kur burri doli për të nxjerrë bagëtinë e pa të varur te pema mbi shtëpinë tonë. Djali nuk kishte punë dhe nuk shkonte në shkollë. Ai kishte në mend të ikte në Greqi me vëllain tjetër, për të punuar", thotë nëna. Një nga shokët e Aleksandrit, Erioni, thotë se ata u takuan në mëngjes për të pirë kafe dhe nga dreka ai iku pa i thënë asgjë. Por as shokut nuk i ka treguar në rast se ka pasur ndonjë shqetësim. Erioni 17 vjeç thotë se të dy ishin pa punë dhe për shkak të vështirësive ekonomike kishin në plan të iknin në Greqi, pasi në fshat të dy punonin si barinj me bagëtitë dhe nuk siguronin të ardhura për veten dhe familjen. Askush nuk e kishte parë Aleksandrin që nga momenti kur doli nga shtëpia. Vetëm dje në mëngjes u kuptua se ai ishte fshehur gjatë gjithë natës në shtëpinë e braktisur të fqinjëve dhe herët në mëngjes ka marrë litarin nga jashtë haurit të bagëtive dhe i ka dhënë fund jetës. Për prindërit ka mbetur enigmë shkaku i vdekjes së tij. Ata nuk dinë se si ta shpjegojnë vendimin. Nëna tregon se ai nuk kishte asnjë konflikt dhe as në shtëpi nuk kishte treguar kurrë për ndonjë shqetësim. Ata mendojnë më shumë se djali mund t‘i ketë dhënë fund jetës për shkak të kushteve ekonomike. Ai ishte pa shkollë e pa të ardhura dhe merrej vetëm me kullotjen e bagëtive. Mund të jetë mërzitur nga jeta që bënte. Edhe ekspertët e policisë së Korçës, që po hetojnë çështjen, nuk kanë arritur ende të zbulojnë shkaqet e kësaj vetëvrasjeje.