Vlorë, nis shembja e shtëpive pranë rrugës Transballkanike
Ka nisur dje në Vlorë prishja e banesave që preken nga plani për zgjerimin e rrugës Transballkanike. Numri i banesave që duhet të shemben tërësisht apo pjesërisht për të liruar terrenin për zgjerimin e rrugës është në total 54, për të cilat kanë dalë edhe vendimet për prishje. Ditën e djeshme fadroma e Inspektoratit të Ndërtimit, e shoqëruar edhe nga efektivë të forcave të rendit ka zbritur në terren. Familjeve që jetojnë në këto shtëpi u është kërkuar të heqin pajisjet shtëpiake vetë dhe të lirojnë banesat, pasi vendimet për prishjen e tyre janë komunikuar zyrtarisht prej kohësh. Pati nga ata banorët të bindur, të cilët nisën të hiqnin vetë objektet që prekeshin nga plani, ndërsa nuk munguan kontestimet dhe përplasjet me policinë e rendit dhe me ndërtimorët. Disa prej banorëve nuk pranuan që shtëpitë e tyre të hidheshin përtokë, pa marrë më parë paratë e plota të kompensimit, ndërsa sipas tyre janë ende në procese gjyqësore të pa finalizuara. Shumë prej tyre janë shprehur se nuk do të lejonin që fadromat të hedhin përtokë shtëpitë e tyre pasi ata nuk kanë se ku të shkojnë. Madje sipas tyre, ata nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar se ndërhyrja për prishje do të ishte kaq e afërt. "Ne jemi dakord që banesat të prishen, se edhe ne duam rrugë në Vlorë,- tha njëri prej banorëve,- por ende nuk kemi marrë paratë e për shpronësimin dhe nuk kemi ku të shkojmë. Kur të na japin paratë, ne i prishim edhe vetë shtëpitë", - përfundon ai. Gjithsesi Inspektorati Ndërtimor, nëpërmjet kryetarit të tij në Vlorë, Shpëtim Xhyheri, ka informuar banorët se ka ardhur koha që vendimi të zbatohet. Aksioni për prishjen e ndërtimeve që preken nga plani i rrugës u kufizua dje vetëm në disa objekte të veçanta, por kjo shënoi fillimin e hapjes së terrenit nga ndërtimet, që po mbanin bllokuar procesin e finalizimit të projektit, që do të bënte funksionale një nga akset rrugore më të rëndësishme të qytetit të Vlorës. Sipas drejtuesve të Inspektoratit të Ndërtimit në Vlorë, prishjet e banesave që janë parashikuar do të finalizohen së shpejti. Ndërkohë, katër gra, banore të shtëpive që do të prishen, kanë vijuar edhe dje grevën e tyre të urisë. Të mërkurën, njëra prej tyre, Minushe Mërtiri, u shtrua me urgjencë në spitalin rajonal të Vlorës, pas përkeqësimit të shëndetit.