Kosova kërkon përfaqësimin në Olimpiadën e Pekinit
Kombëtarja e Kosovës në boks është në pritje të vendimit për shpalljen e pavarësisë, në mënyrë që të marrë pjesë në kualifikueset për Olimpiadën e Pekinit. Pesë boksierë, të stërvitur në Prishtinë nga Mehmet Haxhani, kërkojnë të jenë në ring në aktivitetet e ardhshme evropiane nëse pavarësia do të aprovohet në ditët e ardhshme. "Ne po i afrohemi shumë objektivit tonë duke shpresuar që gjithçka të zgjidhet. Në këtë rast, do të bëhemi shteti më i ri në aktivitetet ndërkombëtare të boksit. Puna me djemtë është e vështirë. Unë mundohem t‘i bind se dita e tyre po vjen, po i motivoj për të realizuar ëndrrën e tyre", deklaroi Haxhani. Dy kualifikueset në të cilat Kosova mund të marrë pjesë nëse deklarohet shtet i pavarur janë kampionati i 24 shkurtit në Itali dhe ai i 7 prillit në Greqi. Meqenëse Federata Ndërkombëtare e Boksit do të mblidhet me 17 shkurt, boksierët kosovarë shpresojnë që deri atëherë shteti i tyre të jetë shpallur i pavarur. "Ne jemi njerëz të sportit. Nuk e kuptoj pse nuk mund të përfaqësoj vendin tim", deklaroi boksieri 26-vjeçar Jeton Plakaj.