E Diel, 1 Nëntor 2026

Sa kushton mosmirënjohja e trajnerëve

Ishte dalja e parë në ekran e trajnerit të ri të Tiranës, Mema. Edhe pse nuk është tipi i trajnerit orator, sepse kishte një ndjellje. Zakonisht trajnerët që marrin vendin e kolegut të tyre, me hipokrizi apo me sforcim, thonë disa fjalë ngushëlluese për të shkarkuarin. Por këtë herë ishte ndryshe. Ikja e Hafizit nuk ishte e zakonshme, kështu që edhe rokada e stolit nuk do të ishte paq. "Ekipi ka nevojë për revolucion. Ju e keni parë që shpesh futbollistët e Tironës luajnë me akademizëm". Këto fjalë të Memës, më shpejt se kudo, kanë mbërritur në veshët e ish-trajnerit Hafizi. Dhe kështu ai që sapo kishte refuzuar një ftesë në emisionin e së hënës "Top Show Sport" me shpjegimin se "mos thonë donatorët pse ti nuk e dije që një ditë do të ikje", është shfaqur në ekran për të replikuar me Memën. "Ky ekip është gati dhe Mema nuk ka çfarë revolucioni të bëjë".

Është një histori tipike e kohës së presidentëve, kur trajnerët nuk respektojnë punën e njëri-tjetrit. Por shefat kërkojnë të shtirren sikur janë jashtë skemës, në këtë ritual mosmirënjohjeje. Jo më kot donatorët u shfaqen në gazeta dhe falënderuan Hafizin për bashkëpunimin 4-mujor. Një herë thanë se shkak i largimit ishte barazimi befasues me Elbasanin dhe më pas krijuan idenë e një abuzimi financiar të shefit Muça e trajnerit Hafizi në merkaton e futbollistëve. Ndaj një ditë dikush nga shefat bardheblu shkruante publikisht se "askush nuk mund të tallet me paratë tona". Cilado qoftë e vërteta, te Tirana pelegrinazhi i stolit mbahet gjallë nga të dyja palët. Disa paguajnë shtrenjtë stolin dhe brenda çmimit është edhe shkarkimi në një ditë me diell. Nga ana tjetër, trajnerë që edhe pse e dinë fort mirë stilin e divorcit me Tironën, kur vjen dita e keqe... u duket vetja në rolin e viktimës. Kanë shkaktuar kureshtje fjalët e Sul Memës se "këtë post do ta mbajë fort, fort deri në fund të sezonit". Një bast i bukur kur dihet mjaft mirë se gjërat nuk varen nga trajneri. Edhe pse mund të ketë bërë sakrificë, duke lënë karrigen e shefit të arbitrave për stolin që paguhet mesatarisht 5 milionë në muaj.

Thonë se atje ku luhet me çmime të mëdha ka pak dashuri. Kështu që nuk duhet të habisë këmbimi pa respekt i njerëzve të stolit. Edhe të huajt që zbarkojnë në Shqipëri, sikur i kemi zgjedhur si veten tonë. Holandezi Han nuk kishte frikë të pranonte publikisht se "Pse duhet të takohem me Bariç? Ai nuk ka bërë më shumë se unë me Shtutgartin". Nuk do të jetë e largët dita, kur "tulipani" i stolit tonë do të thotë se edhe me Shqipërinë do ta fitojë bastin me Bariç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›