E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri shkrumbon nënën me 3 vajzat

Flakët shuajnë një familje. Nëna me tre vajzat e mitura, janë djegur brenda katër mureve të shtëpisë, ndërsa babai mallkon veten se nuk ishte aty t‘i shpëtonte. Haxhi Gutaj punonte natën për të mbajtur familjen dhe kishte vendosur që ata t‘i kthente në Kosovë, ku bashkë me festën e Bajramit të festonte edhe lirinë e vendit. Por, kjo ëndërr nuk është realizuar. Dje në mëngjes, ai do t‘i hipte makinës e bashkë me të shoqen Sadeten, e tre vajzat e tij, Djellzën, Hajrien e Dafinën të shkonin në Kosovë. Një gjë të tillë do ta bëjë, por në krah do të ketë vetëm kufomat e tyre.

Ngjarja tragjike ka ndodhur mesnatën e djeshme, duke u gdhirë e mërkurë. Para se të dilte nga banesa, Sadete Gutaj i kishte thënë të shoqit që të mos shkonte në punë, pasi dje do të niseshin për Kosovë, atje ku kishin edhe vendlindjen. Megjithatë, ai e ka kundërshtuar me shpresën të mbledhë edhe ca para. E sapo është errësuar, ka dalën nga shtëpia. Ka puthur vajzat e tij, sikur ta ndiente se ishte hera e fundit që i shikonte gjallë, dhe ka dalë. Gjatë gjithë natës ka punuar me ankth dhe duke menduar vetëm për rrugën që do të ndërmerrte. Por, pa u gdhirë, një telefonatë ka mbërritur në telefonin e tij. I kanë thënë se i është djegur shtëpia. Gjunjët i janë prerë, por prapë ka vrapuar për në shtëpi. Kur ka shkuar atje, të njohurit e pallatit i kanë thënë të bëhej i fortë se familja e tij ishte djegur brenda.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit. Policia është njoftuar se në rrugën "Komuna Parisit", në afërsi të qendrës "Elonorë", në papafingon e një pallati 7-katësh ka rënë zjarr në banesën e Haxhi Gutajt, me origjinë nga Gjakova e Kosovës. Menjëherë në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet zjarrfikëse, shërbimet e Komisariatit të Policisë nr. 1 Tiranë, u formua grupi hetimor, ku u mundësua fikja e zjarrit. Me gjithë ndërhyrjen e shpejtë, zjarrfikësit nuk kanë mundur të shpëtojnë familjen që ndodhej brenda banesës së djegur. Kështu, policia tha se nga zjarri gjetën vdekjen 30-vjeçarja Sadete Gutaj dhe fëmijët e saj Djellza 10-vjeçare, Hajria 3-vjeçare dhe Dafina 1-vjeçare. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes u konkludua se shkak i rënies së zjarrit në banesë është energjia elektrike. Viktimat kishin harruar ndezur një rezistencë për ngrohje, ku fillimisht zjarri ka rërë në divane dhe më pas është përhapur me shpejtësi, ndërsa viktimat janë asfiksuar nga tymi, duke sjellë këtë fatkeqësi brenda një familje.

Banorët e pallatit nuk kanë mundur të ndihmojnë familjen e djegur, pavarësisht se tragjedia e katërfishtë i ka indinjuar të gjithë. Disa prej tyre nuk dinin asgjë se në atë pallat kishte rënë zjarr, ndërsa disa të tjerë thonë se nuk i ndihmuan dot, pasi rrezikoheshin edhe vetë nga flakët. Megjithatë, të gjithë banorët flasin me dashuri për familjen kosovare dhe bashkohen me dhimbjen e tyre. "Ata ishin njerëz të mirë dhe nuk kishin shumë kohë që jetonin në këtë pallat. Katër muaj më parë kanë ardhur këtu. Më duket se banonin me qira. Shpeshherë më ndihmonin edhe mua për ndonjë punë", tregon një grua 70-vjeçare, e cila nuk mban dot lotët teksa rrëfen për familjen e shuar nga flakët. Ndërsa një grua e re tregon se ditët e fundit kishte biseduar me Sadeten dhe ajo i kishte treguar se për festat e fundvitit do të shkonte në Kosovë. "Ajo më tha se ndoshta nuk kthehej më në Shqipëri se burri i saj po vuante shumë në punë për të mbajtur familjen. Gjithashtu, ajo shpresonte në pavarësinë e Kosovës dhe se punët mund të rregulloheshin edhe për familjen e saj", tregon një fqinje e familjes kosovare. E po duket se gjithë këto, tashmë nuk do të realizohen më për familjen, e cila u shua dje, e askush nuk ishte pranë tyre për t‘i ndihmuar.

Hetimi

Shoqërohen në polici pronarët e lokaleve

Pas shuarjes së zjarrit të rënë në zonën e ish-Bllokut dhe evakuimit të menjëhershëm të qytetarëve dhe zonës përreth, ku fatmirësisht nuk pati të dëmtuar, por vetëm dëme materiale, strukturat operacionale të Policisë së Tiranës kanë kryer shoqërimin e tre shtetasve, të cilët janë administratorë të lokaleve përreth. Këta persona nuk kanë kundërshtuar urdhrin e policisë për shoqërimin e tyre. Menjëherë pas shoqërimit, strukturat e policisë kanë ngritur një grup hetimor dhe i kanë marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen e ndodhur. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, të shoqëruarit janë Mat Abdurrahman Durimi, 69 vjeç, Red Edmond Tela, 33 vjeç dhe Elton Qatib Mera, 23 vjeç. Këta persona janë pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni me rrethanat dhe shkaqet e zjarrit të djeshëm, ndërkohë që deri në orët e vona të mbrëmjes nuk është marrë ndonjë masë ndalimi ndaj tyre. Policia tha se ata janë në hetim.

Tiranë

Zjarr edhe në një banesë private

Një tjetër zjarr, por me përmasa më të vogla është shënuar dje në zonën e ish-Bllokut. Por, këtë radhë, ai është vënë re shumë shpejt nga pjesëtarët e një familjeje, të cilët kanë njoftuar shërbimet zjarrfikëse dhe brenda një kohe të shkurtër është mundësuar shuarja e tij. Sipas policisë, zjarri i tretë u shënua në katin e parë të një banese private. Familjarët, të cilët kanë vënë re tymin, kanë njoftuar shërbimet e zjarrfikësve, të cilët ndodheshin disa metra larg, teksa shuanin flakët te pallati 10- katësh në zonën e ish-Bllokut. Menjëherë një grup pune është nisur drejt vendit të ngjarjes, ku brenda pak minutash kanë mundur të izolojnë flakët. Sipas ekspertëve xhenierë, flakët ishin shkaktuar nga një defekt në rrjetin elektrik dhe brenda ndodheshin disa anëtarë të familjes. Ata kanë dalë jashtë dhe kanë kërkuar ndihmën e policisë, duke shmangur kështu edhe dëmet materiale.

Tragjedia

Berisha, mesazh ngushëllimi

Kryeministri Sali Berisha i dërgoi një mesazh ngushëllimi familjes së Haxhi Gutajt për humbjen tragjike të bashkëshortes dhe 3 fëmijëve, gjatë një zjarri të rënë në shtëpinë e tyre, pranë lagjes "Komuna e Parisit", Tiranë. Në këtë mesazh, Kryeministri Berisha shkruan se "humbja tragjike e jetës së bashkëshortes dhe fëmijëve të tu, më ka prekur dhe pikëlluar thellësisht mua dhe çdo shqiptar". "Duke ju shprehur ngushëllimet më të thella, të miat dhe të Qeverisë shqiptare, bashkohem me lutjen që shpirti i fëmijëve dhe bashkëshortes tuaj të dashur të gjejë paqen e përjetshme, ndërsa ju, të afërmit dhe miqtë tuaj, forcën për të përballuar këtë humbje tmerrësisht të rëndë dhe të pakompensueshme", shprehet Kryeministri Berisha.

Fqinjët: Ata ishin shumë të varfër

Të tronditur nga ngjarja nuk kanë qenë vetëm të afërmit e viktimave, por dhe fqinjët e tyre që i njihnin prej disa vitesh. Minushja, fqinje e familje kosovare Gutaj, ka treguar se, i njihte prej kohësh viktimat, pasi kishin marrë apartamentin në këtë pallat, i cili ende nuk kishte përfunduar. "I njihja si familje, kishin disa kohë që kishin ardhur në Tiranë. Kryefamiljari punonte në kryeqytet dhe bënte llaç. Ata ishin një familje e qetë dhe nuk kanë krijuar probleme ndonjëherë me asnjë nga fqinjët e tyre. Shikonin punën e tyre dhe hallin e tyre", ka thënë dje, Minushja, fqinja e familjes kosovare. Nuk kemi parë flakë dhe asnjë gjë, vetëm kur kemi dëgjuar që ka ardhur policia dhe zjarrfikësit. Ata ishin bërë gati që të iknin në Gjakovë për të kaluar festat së bashku me të afërmit e tjerë, por nuk kanë mundur dot përfundon ajo, ku në fytyrë i duket qartë dhimbja për tragjedinë që përfshiu familjen Gutaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›