Raporti, pse i duhet hequr imuniteti Bashës
Këshilli për Imunitetin i rekomandon Kuvendit që të votojë pro dhënies së autorizimit për ndjekje penale ndaj deputetit Lulzim Basha. Por në raport theksohet se kjo bëhet vetëm nga vullneti politik, për t‘i hapur rrugë hetimit dhe jo se është e argumentuar akuza ndaj ish-ministrit të Transporteve. Kërkesa bëhet e ditur nëpërmjet projektraportit të këtij këshilli, i cili do të bëhet zyrtar në mbledhjen e ditës së premte. Në raport thuhet se këshilli ka dalë me katër konkluzione kryesore, të cilat do t‘i paraqiten Kuvendit në seancën e ardhshme dhe më pas do të bëhet edhe votimi i tij. Konkluzioni i parë është se ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës është një nga objektivat më strategjik të qeverisë shqiptare me një rendësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë, Kosovën dhe më gjerë. Procedurat e ndjekura kanë qenë tërësisht ligjore dhe transparente. Konkluzioni i dytë, kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për autorizim për procedim penal ndaj deputetit Lulzim Basha, ndonëse është dërguar e mbështetur në nenin 73 të Kushtetutës, nuk respekton nenin 76, pika 1 të saj, si dhe nenet 13 dhe 118 të rregullores së Kuvendit, pasi nuk i drejtohet Kryetares së Kuvendit. Kërkesa nuk ishte shoqëruar me dokumentacion provues, duke mos respektuar nenin 118 të rregullores së Kuvendit. Konkluzioni i tretë thotë se kërkesa e paraqitur nuk ka të dhëna, prova apo indicie që provojnë ekzistencën e elementëve të ndonjë vepre penale. Ajo nuk justifikon dhënien e autorizimit për procedim penal për deputetin Lulzim Basha. Provat apo arsyet janë të domosdoshme edhe në rastin kur kërkohet fillimi i procedimit penal ndaj çdo personi, me ose pa imunitet. Në konkluzionin e katërt thuhet se vullneti politik i përfaqësuesve të mazhorancës parlamentare është shprehur qartësisht dhe publikisht në favor të kufizimit dhe heqjes së imunitetit të çdo zyrtari të shtetit shqiptar, kundrejt ndjekjes penale, duke paraqitur edhe një projektligj në Kuvend me qëllim të tillë. Në projektraport thuhet se nisur nga konkluzionet e arritura, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin gjykon se pavarësisht se kërkesa e Prokurorit të Përgjithshëm ka mangësi të mëdha ligjore në formën e saj, është mbështetur në fakte, indicie apo të dhëna, për të justifikuar ekzistencën e ndonjë vepre penale apo heqje të imunitetit të deputetit Basha, duke rikonfirmuar qëndrimin politik të mazhorancës për kufizimin e heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Në këtë projektraporti është bërë edhe një përmbledhje e punës së bërë nga komisioni në tre mbledhjet e tij. Aty vlerësohet qëndrimi i deputetit Basha dhe relacioni mbrojtës i paraqitur prej tij lidhur me kërkesën e prokurorisë për t‘i hequr imunitetin. Gjithashtu kritikohet edhe puna e institucionit të Akuzës, e cila nuk është treguar korrekte në lidhje me kërkesat që i ka bërë Kuvendi për t‘i vënë në dispozicion më shumë materiale në lidhje me kërkesën e saj për të hetuar ish-ministrin e Transporteve, tashmë ministër i Jashtëm, deputetin Lulzim Basha.
Imuniteti
Koçi: Propozon disa shtesa në projektraport për Bashën
Deputeti i PS-së, Petro Koçi, anëtar i Këshillit të Imuniteteve, ka bërë të ditur dje disa shtesa në projektraportin paraprak që ky këshill do t‘i paraqesë Kuvendit, lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për nisjen e procedimit penal ndaj deputetit Lulzim Basha. Koçi ka theksuar se Prokurori i Përgjithshëm dhe deputeti Lulzim Basha nuk vunë në dispozicion të këshillit dokumente të tjera shtesë për të përforcuar pretendimet respektive. Sipas tij, argumentimi i Prokurorit të Përgjithshëm për nevojën e procedimit penal të deputetit Lulzim Basha, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive ligjore të të gjithë personave të përfshirë në shkeljet ligjore të konstatuara prej saj, rezulton logjik dhe i mbështetur në të dhëna serioze. Shkeljet e konstatuara nga prokuroria, tha Koçi, rezultojnë në mospublikimin në Fletoren Zyrtare të vendimeve nr.460, datë 10.07.06 dhe 856 datë 27.12.06 i KM në kundërshtim me nenin 117/1 të Kushtetutës, përzgjedhja e konsulentit "Ecorys group" është bërë në shkelje të ligjeve dhe akteve nënligjore në fuqi, përkatësisht të ligjit nr. 7971 dt 26.07.1995, procedura e ndjekur për përzgjedhjen e firmës fituese për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash dhe lidhja e kontratës me këtë firmë për zbatimin e punimeve është kryer me shkelje të shumta ligjore, duke favorizuar subjektin sipërmarrës e duke sjellë dëme të konsiderueshme financiare në buxhetin e shtetit, etj.