E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali, në treg mijëra lodra të rrezikshme kineze

Në tregun tonë gjenden me mijëra lodra kineze të dëmshme për shëndetin e fëmijëve. Lajmin e bëri të ditur dhe Ministria e Ekonomisë, e cila paralajmëron qytetarët për rrezikun e këtyre lodrave që po shiten për festat e fundvitit. Ministria bëri me dije dje përmes zëdhënëses se një kategori lodrash të kompanisë "Fisher Price" paraqesin rrezikshmëri, pasi kanë përmbajtje plumbi mbi nivelet e lejuara. Ndaj edhe kjo shoqëri ka kërkuar vete tërheqjen e kësaj kategorie lodrash nga tregu.

Po kështu, janë të rrezikshme për jetën, të tjera lodra me origjinë nga Kina. Ato shkaktojnë mbytje ose helmim, shok elektrik, dëmtime të ndryshme fizike apo bakteriologjike, etj., të provuara nga testimet e laboratorëve të akredituar në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Mësohet se Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka marrë urdhër për pezullimin e zhdoganimeve dhe ndalimin e tregtimit të mëtejshëm të këtyre produkteve të rrezikshme.

Zëdhënësja e Ministrisë së Ekonomisë u shpreh dje se "shitësit e pakicës dhe shumicës, si dhe importuesit duhet të bëjnë kujdes me disa lodra të rrezikshme të vendosura në tregun tonë". Janë dy grupe lodrash. Në grupin e parë përfshihen produktet e kompanisë "Fisher Price", e cila ka kërkuar tërheqjen nga tregu të një kategorie lodrash të prodhuara prej saj që paraqesin rrezikshmëri për përmbajtjen e plumbit mbi nivelet e lejuara.

Nga ana tjetër, në kuadër të Sistemit për Këmbimin e Shpejtë të informacioneve për produktet e rrezikshme të vendosura në tregun e brendshëm të BE-së, informohemi për një kategori tjetër lodrash të rrezikshme. Këto lodra paraqesin rrezikshmëri të lartë ndaj mbytjes ose helmimit, shokut elektrik, dëmtimeve të ndryshme fizike apo bakteriologjike, të provuara nga testimet e laboratorëve të akredituar në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Në këtë kuadër, Ministria e Ekonomisë tërheq vëmendjen jo vetëm të konsumatorëve për mosblerjen e tyre, por edhe të shitësve të pakicës dhe shumicës për ndalimin e tregtimit të kësaj kategorie lodrash.

Ndërkohë, mësohet se po merren masa për koordinimin me sukses të këtij aksioni, me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave për pezullimin e zhdoganimeve si dhe me IQT për ndalimin e tregtimit të mëtejshëm të këtyre produkteve të rrezikshme.

Teksa ka bërë të ditur lajmin, ministria ka dërguar edhe vendimin për në Këshillin e Ministrave. Kështu dje qeveria vendosi "Miratimin e rregullave teknike për përcaktimin e kërkesave thelbësore dhe vlerësimin e konformitetit të lodrave".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›