Ish-ushtarakët, gati për ankesë në Bruksel
Më shumë se 100 ish-ushtarakë kanë dalë në një protestë paqësore mesditën e djeshme, në sheshin para Prefekturës së Fierit. Ish-ushtarakët kanë protestuar për të kërkuar prej qeverisë zbatimin e ligjit të statusit të ushtarakëve. Ata kanë hedhur parulla kundër qeverisë aktuale, e cila nuk po i mbështet, duke mos i përfshirë edhe në skemat e rritjes së pensioneve. Oratorët që morën fjalën në këtë protestë kanë kërkuar prej qeverisë aktuale që të zbatojë ligjin e miratuar në Parlament tre vjet më parë, ku përfshihej edhe përfitimi nga ky status. "Kryeministri Sali Berisha ka shkelur si ligjin, ashtu edhe Kushtetutën", tha njëri prej oratorëve.
Ish-ushtarakët e Fierit i kanë kërkuar qeverisë që të zhbllokojë procesin e pensioneve të tyre. Gjatë protestës, në të cilën merrnin pjesë edhe ish-ushtarakë nga Lushnja, Ballshi dhe Patosi, ata i kanë bërë thirrje qeverisë që të kthejë vëmendjen edhe te kërkesat e tyre, të cilat tanimë janë njohur edhe ligjërisht nga Gjykatat Kushtetuese.
Statusi i ushtarakëve është miratuar rreth 15 vite më parë, por të gjithë ushtarakët në rezervë vazhdojnë të mos marrin atë që meritojnë. "Shoqata jonë e fitoi betejën ligjore me qeverinë, pasi në Gjykatën Kushtetuese është vendosur që të ndryshojnë disa nga nenet që na diskriminojnë. Por ne jemi mbledhur sot këtu për të denoncuar zvarritjet nga ana e qeverisë, e cila prej më shumë se 3 muaj po bllokon dhënien e pensioneve tona, ndonëse vendimi ligjor tashmë nuk ka kthim mbrapa", u shpreh kreu i shoqatës së ish-ushtarakëve të Fierit. Sipas tij, qëllimi i vetëm i daljes në protesta nga ana e ish-ushtarakëve është diskriminimi i tyre ekonomik dhe nuk ka motive politike. "Jemi të vendosur të vazhdojmë protestat tona dhe nuk bëjmë asnjë kompromis ekonomik në dëm të interesave tona", vijoi më tej kreu i ish-ushtarakëve, duke bërë të ditur më tej se kërkesat do t‘u drejtohen edhe organizmave të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë edhe NATO-n.