Minatori i aksidentuar, jashtë rrezikut për jetën
Minatori i aksidentuar gjatë punës në minierë, të shtunën rreth mesditës, aktualisht ka dalë jashtë rrezikut për jetën. Këtë e konfirmojnë për "Shqip" kryesindikalisti i Minierës së Kromit Bulqizë, Dilaver Përkoxha, dhe drejtori i saj, ing.Petrit Duva. Esat Dedja, 42 vjeç, baba i tetë fëmijëve, minator i shembjeve në nivelin e 14-të të pusit nr.2, teksa punonte për kontrollin e një galerie të këtij niveli është goditur nga shembja e gurëve prej tavanit të saj, duke u plagosur në gjendje të rëndë. Mungesa totale e mjekëve specialistë në spitalin e Bulqizës, bëri të domosdoshëm dërgimin e të aksidentuarit Dedja në Spitalin Ushtarak në Tiranë, për të marrë ndihmë mjekësore të kualifikuar, për ta nxjerrë atë jashtë rrezikut për jetën. Në orët e mbrëmjes së të shtunës, minatori i aksidentuar në gjendje të rëndë ka mbërritur me ambulancë pranë këtij spitali, pasi kushtet e motit të keq nuk mundësuan transportin e tij me avion, ku i është nënshtruar një ekspertize mjekësore nga mjekë specialistë të këtij spitali. Të afërm të minatorit të aksidentuar thanë për "Shqip", se pas ekzaminimeve të bëra nga mjekët e këtij spitali, konsulta mjekësore ka dalë në konkluzionin se duhej një ndërhyrje në mushkëri me sondë, duke neglizhuar kështu frakturën e klavikulës së djathtë, që kishin diagnostikuar mjekët jospecialistë të spitalit të Bulqizës. Gjithashtu, burime nga drejtoria e minierës bëjnë me dije se të gjitha shpenzimet spitalore për minatorin e aksidentuar janë përballuar nga kompania që menaxhon këtë minierë.