E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi i qeverisë rrezikon studimet master në fakultete



Jonida Tashi

Rrezikohet nisja e studimeve master në universitete. Nga drejtuesit e fakulteteve të Universitetit të Tiranës mësohet se shkak për rrezikimin e hapjes së këtyre studimeve është bërë vendimi i qeverisë për kuotat dhe tarifat. Megjithëse ka kaluar kohë nga miratimi, urdhri për kurrikulat dhe masterat e nivelit të parë, ka shkuar në fakultete vetëm dy ditë më parë. Madje, tani ka kaluar edhe afati që universitetet kishin vendosur për aplikimet për master, ku dita e fundit e aplikimit ishte data 20 shtator.
Reagimi
Dekani i Fakultetit Histori-Filologji Shezai Rrokaj sqaron se urdhri i dërguar nga qeveria është shumë i mangët, dhe për pasojë studentët nuk mund ta fillojnë masterin më 6 tetor. Në këtë datë është përcaktuar dhe fillimi i vitit të ri akademik dhe sipas drejtuesve të fakulteteve, studimet master duhet të nisnin njëkohësisht me studimet e tjera të larta. Në pritje të vendimit të qeverisë për kuotat dhe tarifat Rrokaj shprehet: “Jemi shumë vonë dhe nuk kemi asnjë shenjë se kur do të miratohen, se sa do të jetë numri i pranimeve, dhe sa do të jetë tarifa e shkollimit në mënyrë që edhe të rinjtë të dinë dhe të matin ato forcat e tyre qoftë edhe ekonomike. Megjithëse kurrikulat për masterat në disa fakultete janë miratuar, urdhri më i fundit që ju ka shkuar fakulteteve dy ditë më parë, sipas drejtuesve të tyre, është i pazbatueshëm. Aktualisht, fakultetet dinë vetëm kurrikulat e miratura për masterat që do të ofrojnë. Ndërkohë që nuk janë përcaktuar as tarifat e masterave, as kuotat dhe as kriteret.
Urdhri
Urdhri që u është dërguar fakulteteve nga Këshilli i Ministrave tregon vetëm se cilat kurrikula janë miratuar. Ky urdhër lë peng fakultetet, për të vazhduar punën e tyre, ndërkohë dhe studentët që kanë mbaruar, ciklin tre vjeçar, për të vendosur nëse do të vazhdojnë apo 2-vjeçarin. Sipas kreut të Filologjikut, ky urdhër është i pazbatueshëm për momentin, sepse ndërkohë që miraton kurrikulën, nuk përcakton procedurat e tjera se si do të vazhdohet për fillimin e vitit akademik, në pikëpamje të numrit. Sipas tij, numri i pranimeve në diplomat e nivelit të dytë, dhe në mastera është kompetencë e Këshillit të Ministrave. Njëkohësisht dhe tarifa e shkollimit është kompetencë e tyre. Për këtë, Rrokaj shprehet: “Ne i kemi bërë propozimet mbi kostot, por nuk jemi qeveri që të përcaktojmë sa do të jetë tarifa”. Sipas tij, qeveria e shikon problemin shumë më gjerë, sepse shikon sa do të subvencionojë vetë në këtë kosto dhe sa do të paguaj individi.
a

25 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›