Tirana, qyteti më problematik për “fëmijët e rrugës”
Tirana është qyteti më problematik përsa i përket shtimit të fëmijëve që jetojnë në rrugë dhe që janë bërë pre e problemeve të mëdha sociale. Mjaft shoqata apo fondacione të huaja, si dhe autoritetet shtetërore po mundësojnë krijimin e kushteve të jetesës dhe marrjen e arsimimit më minimal. Shoqata Kombëtare “Edukim për Jetën” në Konferencën “Edukimi një e ardhme e sigurt” promovoi përfundimin e një faze pesëvjeçare të projektit “Program shërbimesh të integruara për të miturit në Tiranë”. Nëpërmjet këtij projekti u mundësua hapja e Qendrës Ditore Eden, drejtuar fëmijëve të moshës 5 -16 vjeç. Në këtë qendër janë trajtuar rreth 203 fëmijë që jetojnë në kushte të vështira social – ekonomike. Në bazë të këtij projekti, nga viti 2005 deri më 2008-ën, është mundësuar që 54 fëmijë të frekuentojnë rregullisht shkollën. Ndërsa 178 fëmijë të tjerë janë mbështetur me materiale didaktike dhe 77 fëmije kanë përfituar mbështetje shkollore, si dhe 46 të tjerë kanë përfituar rikuperim shkollor. Projekti synon përkrahjen sociale për një të ardhme më të sigurt për fëmijët, familjet e të cilëve janë në vështirësi të mëdha ekonomike dhe të pastrehë. Programi i ri, synon lehtësimin e problemeve sociale për fëmijët dhe familjet në nevojë. Mirela Dautaj, presidente e fondacionit SHKEJ, theksoi se fëmijët e komunitetit Rom dhe të tjerë, po jetojnë në çadra dhe jashtë kushteve më minimale të jetesës. Synimi kryesor është që kjo kategori të ketë akses në shërbimet sociale, trajtimin e tyre në Qendra Ditore me synim mbështetjen dhe futjen në shkolla të fëmijëve në nevojë, si dhe mbështetjen didaktike në shkolla me synim parandalimin dhe rikuperimin e braktisjes shkollore. Programi do të zbatohet në zonat periferike të Tiranë, të cilat shënojnë dhe numrin më të madh të personave në nevojë.
25 Shtator 2008