E Diel, 1 Nëntor 2026

Jurgen Klinsman, pasardhësi i Hitcfeld te Bajerni i Mynihut

Ish-trajneri i kombëtares gjermane, Jurgen Klinsman, do t‘u japë fund "pushimeve" në Kaliforni për të marrë drejtimin e Bajernit të Mynihut. Menjëherë pas mbylljes së këtij sezoni, ai do të bëhet pasardhësi i Otmar Hitcfeld. Lajmërimi surprizë është bërë të premten nga klubi bavarez, që ka saktësuar se puna e Klinsman do të fillojë më 1 korrik 2007, duke zënë vendin e trajnerit aktual, i cili prej disa javësh kishte anonçuar largimin nga Bajerni në fund të edicionit. 43-vjeçari, që është shpërngulur së bashku me familjen në Amerikë, do të kthehet në ish-skuadrën e tij dhe për të puna në Bundesligë është e para në nivel klubesh: më parë ai ka stërvitur vetëm përfaqësuesen e vendit të tij, të cilën e ka udhëhequr drejt vendit të tretë në Kupën e Botës 2006. "Për mua personalisht e gjitha kjo është një surprizë", deklaroi Hoakim Lëv, që për dy vjet ka qenë krahu i djathtë i Klinsmanit në ekipin kombëtar, ndërkohë që tashmë mban postin e trajnerit të parë. "Gjithsesi, në bisedën e fundit që kisha me Jurgenin, m‘u krijua ndjesia se së shpejti ai do të rikthehej në krye të ndonjë skuadre", shtoi Lëv në prononcimin e shpërndarë nga Federata Gjermane e Futbollit (DFB). "Ai është një pjesë e rëndësishme e futbollit gjerman". Menjëherë pas arritjes befasuese në Botëror, ku i dha Gjermanisë medaljen e bronzit, Klinsman vendosi të largohej nga detyra dhe të kthehej pranë familjes së tij në Kaliforni. Që prej asaj periudhe ai nuk ka qenë aktiv në futboll, pavarësisht se emri i tij është lidhur me stolin e kombëtares angleze dhe me Çelsin e Liverpulin në Premiership. Me vendimin për të pranuar ofertën e Bajernit të Mynihut ai kthehet në klubin ku në periudhën 1995-‘97 ka luajtur si sulmues dhe ka fituar titullin kampion në Gjermani dhe Kupën UEFA. Menaxheri i përgjithshëm i bavarezëve, Uli Hënes, ka bërë të ditur se kontrata e trajnerit të ri do të jetë 2-vjeçare. Punësimi i Klinsmanit si zëvendësues i Hitcfeld është cilësuar surprizë, pasi drejtuesit e Bajernit të Mynihut, duke përfshirë presidentin Franc Bekenbauer dhe Karl-Hainc Rumenige, kanë qenë shumë kritikë kundrejt teknikut, në kohën kur ai ishte në krye të stolit të kombëtares. Pavarësisht kësaj, tashmë Bekenbauer beson se "punësimi i Klinsmanit ishte një vendim ‘i zgjuar‘ dhe jam i sigurt se ai do të jetë shumë i suksesshëm në krye të Bajernit".

Në të kaluarën si futbollist, Klinsman ka luajtur edhe për Shtutgartin, Interin, Totenhemin e Monakon dhe ka shënuar 47 gola në 108 ndeshje me kombëtaren gjermane. Emërimi i Klinsmanit është përshëndetur edhe nga Kancelarja Anxhela Merkel. "Kancelarja, ashtu si edhe miliona tifozë të tjerë të futbollit në vend, është e lumtur që Jurgen Klinsman do të rikthehet në Gjermani dhe që aftësitë e tij do të vihen në shërbim të futbollit tonë", deklaroi zëdhënësi për shtyp i Kancelares Merkel, Ulrih Vilhelm. Në vitin 1990, Klinsman ka fituar edhe Kupën e Botës me Gjermaninë Perëndimore dhe në vitin 1996 ai u shpall kampion Evrope me Gjermaninë. Gjatë punës si trajner me kombëtaren ai ka bërë disa ndryshime të rëndësishme: afrimin në stafin mjekësor të disa ekspertëve amerikanë të fituesit dhe ndërtimin e një skuadre me tipare sulmuese. Bajerni, që në këtë sezon mbeti jashtë Ligës së Kampioneve, shpreson që Klinsmani do të rindërtojë skuadrën dhe në të njëjtën kohë do të përmirësojë rezultatet. Edhe pse gjatë merkatos së verës janë shpenzuar afro 70 milionë euro, bavarezët nuk arritën të dominonin Bundesligën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›