E Diel, 1 Nëntor 2026

Çelsi siguron Anelka, lojtarin më të kushtueshëm të planetit

Nikolas Anelka është zyrtarisht një sulmues i Çelsit. Lajmin e ka bërë të ditur dje si klubi londinez, ashtu edhe Boltoni, i cili ka aprovuar transferimin, pasi ka marrë shumën e 15 milionë sterlinave për sulmuesin francez. 28-vjeçari Anelka ka qenë në listën e dëshirave të trajnerit Avram Grant që në fillimin e këtij sezoni, ndërsa marrëveshja u realizua menjëherë, pasi Çelsit i nevojitej një sulmues i mirëfilltë, duke parë mungesat e Dider Drogba dhe Solomon Kalu, të cilët do të jenë të impenjuar në Kupën e Afrikës me kombëtaret respektive gjatë muajve të parë të vitit 2008.

Me rihapjen e merkatos dimërore, ishte e qartë se Çelsi do të kërkonte përforcime në sulm, për të afruar një futbollist të afirmuar në këtë repart. Zgjedhja e trajnerit Grant nuk ka qenë shumë e vështirë, pasi që në kontaktet e para me Anelka, ai u shpreh i gatshëm të provonte një tjetër klub në Angli, pasi kishte veshur më parë fanellën e Arsenalit, Liverpulit, Mançester Sitit dhe së fundmi Boltonit. Pas marrëveshjes me francezin, u arrit akordi edhe me Boltonin, për 15 milionë sterlina, dyfishi i shumës së paguar nga kjo skuadër për të marrë lojtarin. Tashmë mendohet që Anelka do të jetë një titullar i pazëvendësueshëm te londinezët, pasi ka shfaqur në këtë sezon një formë të shkëlqyer me Boltonin dhe kombëtaren franceze. Për më tepër, ai nuk është aktivizuar në Kupën UEFA me ish-skuadrën e tij, ndaj Çelsi mund ta përdorë menjëherë në Ligën e Kampioneve. Kjo lëvizje e skuadrës së Abramoviç mund të rihapë merkaton në Evropë, duke parë se mbërritja e Anelka i ka hapur rrugë largimit të Andri Shevçenkos, tashmë alternativë e dytë në stolin e rezervave.

Ndonëse Çelsi nuk ka paguar një shumë të madhe për Anelka, ky i fundit ka fituar menjëherë titullin e lojtarit më të kushtueshëm në botë. Ndonëse vetëm 28 vjeç, shuma e transferimeve të tij nga një skuadër në tjetrën ka kapur shifrën e 86.5 milionë sterlinave. Sulmuesi e filloi karrierën te Paris Sent Zhermen, i blerë në vitin 1997 nga Arsenali për 0.5 milionë sterlina. Pas dy sezoneve të shkëlqyera me "topçinjtë", ai transferohet te Reali i Madridit, që i paguan skuadrës së Venger 22.3 milionë sterlina. Lojtari nuk arrin të shpërthejë në Madrid, duke u kthyer te Paris Sent Zhermen që e blen për 20 milionë sterlina ish-lojtarin e saj. Lojtari kthehet në Angli në vitin 2001, në formë huazimi te Liverpuli, por nuk i bind drejtuesit e skuadrës ndaj një vit më vonë, ai transferohet te Mançester Siti, këtë radhë për shumën e 12 milionë sterlinave. Në vitin 2005, ai mendon për një vit të qetë dhe transferohet te Fenerbaçe në Turqi, pasi kjo skuadër e blen për 7 milionë sterlina. Por eksperienca e tij në këtë kampionat nuk zgjat shumë dhe është Boltoni që e blen për 8 milionë sterlina, ndërsa i mjafton vetëm një vit për të dyfishuar këtë shumë, duke e kaluar futbollistin te Çelsi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›