E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërthen sherri, dështon Asambleja e "Mbretëreshës"

Asambleja vjetore e atletikës, e parashikuar për t‘u zhvilluar dje, ka dështuar. Shkak për këtë është bërë konflikti disamujor, ndërmjet një grupi të komunitetit të këtij sporti dhe drejtuesve aktual të federatës. Edhe pse ishte parashikuar si një mbledhje e zakonshme vjetore, grupimi i kryesuar nga kandidati për president Gjergj Ruli dhe ish-sekretari i përgjithshëm i FSHA-së, Ajet Toska, kishin kërkuar që Asambleja të cilësohej e jashtëzakonshme, duke kërkuar edhe një mocion mosbesimi për presidentin Fatos Shehaj.

Pjesëmarrësit janë mbledhur rreth orës 10.30 në ambientet e hotel "Rogner", megjithatë situata nuk ka qenë e qetë. Duke qenë se kryesia e atletikës kishte vendosur (në mbledhjen e përpara pesë muajve) se Asambleja do të ishte e zakonshme dhe aty do të diskutohej rreth atyre që kishin ndodhur në vitin 2008, menjëherë drejtuesit e federatës kanë kërkuar që personat e pamandatuar të linin sallën. Kaq ka mjaftuar dhe kundërshtarët e drejtuesve kanë shpërthyer në akuza, duke mos pranuar që të largohen. Situata është tensionuar aty për aty dhe Asambleja e "Mbretëreshës" ka degjeneruar në sharje, prej të cilave ka shpërthyer një sherr masiv, ku nuk ka munguar as përdorimi i duarve. Për të evituar përkeqësimin e situatës është dashur ndërhyrja e disa prej të ftuarve në mbledhje, ndërkohë që sharjet dhe akuzat reciproke kanë vazhduar për minuta të tëra.

Në këtë mënyrë ka përfunduar takimi që cilësohej si tejet i rëndësishëm nga të dyja kampet rivale: drejtuesit e FSHA-së kërkonin të përgatisnin vitin 2008, edhe sepse në gusht do të zhvillohen Lojërat Olimpike Pekin 2008, ndërkohë që grupimi kundër drejtuesve pretendonte të largonte nga detyra presidentin e federatës, Shehaj. Me situatën e krijuar, sipas rregullores dhe statutit, brenda 25 ditëve duhet të zhvillohet një tjetër Asamble, në të cilën pritet të zhvillohet një tjetër luftë e ashpër. Tashmë, pas ngjarjeve më të fundit, duket i paevitueshëm fakti se kryesia e atletikës mund ta cilësojë të jashtëzakonshme, e aty të kërkohet mocioni i mosbesimit për krerët aktualë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›