KLD kundër Alibeajt për kontrollin e mandatit të Spahiut
Tiranë- Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka rrëzuar sot pretendimin e ministrit të Drejtësisë, Alibeaj për tejkalimin e kompetencave të zv/kreut të KLD-së në ushtrimin e detyrës.
Duket se kjo erdhi pasi inspektoriati i KLD-së, hetoi shkeljet e tre gjyqëtarëve të apelit në Durrës, që liruan Delijorgjin nga akuza e kontrabandës, duke falur gjobën e vendosur për të në shkallën e parë.
Në mbledhje pati debate të shumta për shqyrtimin e kërkesës së Ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, për verifikimin e rregullsisë së ushtrimit të mandatit të Zëvëndëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, zotit Kreshnik Spahiu.
Ministri ka kërkuar përpara Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ngritjen dhe raportimin e Komisionit të Verifikimit të Mandateve mbi ligjshmërinë e ushtrimit të detyrës të Zëvëndëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
“Shkak për këtë kërkesë, rezulton të ketë qënë ndjeshmëria mediatike dhe komentet e vazhdueshme në shtyp ndaj çështjes së inspektuar Delijorgji nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, protagonizmin për të cilin - artikujt e ndryshëm të shtypit, ia ngarkojnë emrave të këtyre dy funksionarëve brenda Këshillit të Lartë të Drejtësisë”- thuhet në njoftimin për shtyp.
Presidenti i Republikës, njëkohësisht Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, vendosi ti japë prioritet në trajtim si pikë e parë të rendit të ditës kërkesës së Ministrit për verifikimin e rregullsisë së komunikimit në media të Zëvëndëskryetarit të KLD, duke kërkuar njëkohësisht ndaj organit kolegjial që ai drejton, qëndrim bashkëpunues dhe tolerancë profesionale.
Në mbledhje është diskutuar mbi antagonizmin e raporteve korrekte ndërinstitucionale dhe njëkohësisht perceptimin e deformuar publik të tyre; konkretisht procedura inspektuese ndaj gjyqtarëve ushtarakë të çështjes Delijorgji, ka rezultuar të jetë në rregullsi të ecurisë së saj.
“Sipas Ministrit të Drejtësisë Alibeaj, Zëvëndëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë zoti Kreshnik Spahiu ka tejkaluar kompentencat dhe ka paragjykuar çështjen e një procedimi të mundshëm të tre gjyqtarëve ushtarakë që kanë deklaruar të pafajshëm Mihal Delijorgjin. Në prapësim të pretendimeve të tilla, Zëvëndëskryetari Spahiu ka argumentuar prononcimin e tij brenda tagrave dhe limiteve të lejuara nga vetë pozicioni e i posaçëm brenda strukturës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë”- sqarohet më tej.
Në përfundim, Këshilli i Lartë i Drejtësisë votoi në disfavor të pretendimit të Ministrit të Drejtësisë, nisur nga dy argumenta:
Së pari, mungesën e bazueshmërisë ligjore mbi verifikimin e ushtrimit të detyrës nga Komisioni i Verifikimit të Mandateve, dhe gjithashtu mos konsiderimin si shkelje të detyrës nga Zvkryetari i këtij Këshilli, të atyre veprimeve të pretenduara nga Ministri i Drejtësisë.
Dhe së dyti, pjesë e punës së Këshillit, ka qenë edhe seanca dëgjimore ndaj problematikave të konstatuara gjatë veprimtarisë së gjykatave shqiptare nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut.