Rritet numri i vdekshmërisë mes të moshuarve
I pakundërshtueshëm fakti i
prezencës së një virusi sezonal
në rrethin e Fierit. Kështu ka
dashur ta cilësojë situatën aktuale
në Fier epidemiologia Anila Moçi,
e cila pranon për gazetën se është
rritur ndjeshëm numri i të
prekurve nga virozat e stinës. Edhe
pse këmbëngulëse në deklaratën
e saj, për të mos e cilësuar grip,
epidemiologia pranon se vetëm
ditët e fundit, nga të dhënat që ka
siguruar nga spitali dhe të gjitha
qendrat shëndetësore rezulton se
aktualisht, në Fier, virozat e stinës
janë mbizotëruese. "Rreth 110 vizita
në ditë janë regjistruar në repartin
e urgjencës së spitalit rajonal
dhe afro 80 te spitali pediatrik.
Kurse, në të gjitha qendrat shëndetësore
dhe poliklinikën qendrore
të qytetit numri i pacientëve
i kapërcen 340, çka vërteton se kjo
periudhë në Fier i përket virozës së
stinës", ka thënë Anila Moçi. Në
krahasim me dy javë më parë, kur
situata gripale ishte më e butë, sot
në Fier regjistrohet një pushtim i
vërtetë prej këtij virusi. Pothuajse
në të gjitha institucionet arsimore,
administratën publike, si dhe në
çdo institucion qoftë ai privat apo
shtetëror shënohen mungesa të
theksuara jo vetëm në radhët drejtuese,
por edhe në radhët e punonjësve,
nxënësve, fëmijëve të vegjël
etj. Aktualisht, në spitalin e Fierit,
të shtruar në repartin e patologjisë
ndodhen më shumë se 87
persona, kurse spitali i fëmijëve
nuk ka më vende për të pritur pacientët
e vegjël.
Ndërkohë që, stendat e zeza të
lajmërimeve të vdekjeve janë tejmbushur
me fotografi të moshuarish,
të cilët nuk e kanë përballuar
dot këtë situatë gripale.
Afro katër të moshuar në ditë
kanë gjetur vdekjen gjatë javës së
fundit.