E Diel, 1 Nëntor 2026

KSHH: Gjendje e rëndë në paraburgimin e Vlorës

Situata në dhomat e paraburgimit të Vlorës duket se ka vënë në lëvizje Komitetin Shqiptar të Helsinkit, i cili në datë 27 shkurt ka zhvilluar një inspektim në këtë komisariat. Sipas raportit të bërë publik pas vëzhgimit, gjendja në këtë institucion është e rëndë. "KSHH-ja konstatoi se gjendja e dhomave të ndalimit dhe të shoqërimit të shtetasve shqiptarë nga policia në këtë komisariat ishte mjaft e rëndë. Në këto dhoma mungonin totalisht pajisjet e nevojshme. Ndonëse këto dhoma funksionojnë për mbajtjen në një kohë shumë të shkurtër të personave që shoqërohen dhe ndalohen nga polica, përdorimi i tyre për persona të paraburgosur kishte sjellë mbipopullim, strese dhe pakënaqësi", thuhet në raportin e vëzhguesve. Në këtë material janë evidentuar disa raste konkrete të shkeljes së ligjit për personat e burgosur dhe të paraburgosur.

Inspektorët e KSHH-së: 1. Shtatë persona, ndaj të cilëve gjykata kishte caktuar si masë sigurimi arrest me burg, vazhdojnë të mbahen në dhomat e paraburgimit për një periudhë 5 deri në 15 ditë nga dita e arrestimit; 2. Shtetasi Dh.J., i dënuar në mungesë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, duhej dërguar menjëherë në burgun përkatës, por ai vazhdon të mbahet në Komisariatin e Policisë 3. Në dhomat e paraburgimit gjendeshin dy të moshuar: H.Sh. dhe M.Ç. përkatësisht të moshave 72 dhe 84 vjeç, të sëmurë dhe që kishin nevojë për trajtim mjekësor të veçantë. Mbajtja e tyre ishte tej afateve të përcaktuara nga ligji dhe në shkelje të rëndë të ligjit.

Në këto kushte, Komiteti i Helsinkit e ka parë të arsyeshme që t‘ju drejtohet drejtuesve të institucioneve përgjegjëse për këtë situatë. Ministri i Drejtësisë dhe drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve janë personat të cilëve u është kërkuar nga KSHH që të marrin masa për ndryshimin e gjendjes në paraburgimin e Vlorës dhe zbatimin e legjislacionit përkatës për funksionimin e këtyre ambienteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›