Treni i mallrave shtyp një burrë
Një burrë ka vdekur dje pas përplasjes nga një tren mallrash në linjën ndërkombëtare Shkodër-Han i Hotit. Pjetër Mëhilli, banor i fshatit Boriç të Malësisë së Madhe, u përplas nga një tren malazez, që kthehej bosh nga Shkodra. Ngjarja e rëndë ndodhi në orën 19:30 të mbrëmjes së djeshme, kur viktima po ecte mbi shina, në një nga kalimet e paligjshme që kanë hapur banorët e zonës. Policia, që mbërriti në vendngjarje, tha se 55-vjeçari kishte vdekur në vend. Ndërsa nga hetimet paraprake rezulton se aksidenti ndodhi për shkak të pakujdesisë së këmbësorit.