PS: Reformën zgjedhore po e vonon maxhoranca
Tiranë- “Fajin për vonesën e reformës zgjedhore e ka maxhoranca”. Kështu është përgjigjur deputeti socialist, Fatmir Xhafaj, pak orë pas deklaratës së bërë nga kreu i qeverisë Sali Berisha, që akuzoi Partinë Socialiste për vonesa në këtë proces shumë të rëndësishëm.
Deputeti socialist ka kundërshtuar deklaratën e kryeministrit, duke pohuar krejt të kundërtën e asaj që Berisha dha në përgjigje të interesimit të medias për reformën zgjedhore. Sipas tij është maxhoranca ajo që nuk po vepron, duke penguar propozimet e socialistëve.
“Partia Socialiste ka dy javë që ka kërkuar publikisht dhe në mënyrë të përsëritur ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për Kodin Zgjedhor. Është maxhoranca ajo që nuk po vepron”- ka thënë për mediat ai.
Kodi zgjedhor, sipas tij, nuk mund t’i ngjajë vendimit të qeverisë për shitjen e fishekëve. “Zgjedhjet e ardhshme nuk mund dhe nuk do të jetën Gërdeci elektoral. Kodi Zgjedhor është një punë shumë e rëndësishme, që kërkon angazhim serioz dhe jo batuta”- është shprehur Xhafaj.
Berisha gjatë një konference për shtyp, në përfundim të vizitave të tij në Bruksel iu përgjigj interesimit të gazetarëve për reformën zgjedhore. “Reforma në kodin zgjedhor është një zotim i padiskutueshëm që do të realizohet në afatin më të shkurtër. Ne presim Partinë Socialiste, e cila bën një hap para dhe dy hapa mbrapa. Jemi absolutisht të gatshëm dhe të përgatitur për këtë, sapo pala tjetër të jetë e gatshtme dhe nuk kemi asnjë vështirësi, pasi kjo është një çështje për t'u zgjidhur", tha ai.