E Diel, 1 Nëntor 2026

Kaka bën trajnerin, Ançeloti i bindet

Kaka është bërë i padiskutueshëm te Milani, edhe kur flitet për skema taktike. Në ndeshjen e kuqezinjve ndaj Xhenoas pritej të kthehej përsëri në fushë "tredhëmbëshi" brazilian, ku përveç "Topit të Artë", në fushë nga minuta e parë do të aktivizoheshin edhe Pato me Ronaldon. Kjo skemë është kërkuar me ngulm nga fantazisti, i cili ka bindur Ançelotin të bëjë ndryshimin e kërkuar, ndonëse me një sakrificë të rëndësishme. Jashtë formacionit ka mbetur Klarens Sedorf, me të cilin Kaka kishte pasur mosmarrëveshje gjatë javëve të fundit, pasi ai nuk mendonte për mbrojtjen, por vetëm për repartin e avancuar, ashtu siç kishte bërë në skemat e mëparshme të kuqezinjve. Largimi i holandezit do të bënte që mesfusha t‘i besohej treshes Gatuzo-Ambrozini-Pirlo, të cilët janë shumë efikasë në bllokimin e sulmeve të kundërshtarëve. Por dëmtimi i minutës së fundit i Ronaldos ka bërë që plani të ndryshojë dhe tani Ancceloti do të ketë përsëri kontrollin e skuadrës, jashtë preferencave personale të Kaka.

Çështja mund të krijojë polemika brenda grupit kuqezi, ku Kaka është kthyer në një lider, por tashmë po merr përsipër edhe një detyrë që nuk i takon, atë të trajnerit. Kërkesa e brazilianit për "tredhëmbëshin" është pranuar pa shumë probleme nga Ançeloti, edhe pse ky i fundit kishte deklaruar disa ditë më parë se do të kthehej te skema me një sulmues, e cila ishte më efikase ndaj skuadrave që luanin në mbrojtje. "Shumë persona e harrojnë se Milani fitoi në këtë mënyrë titullin dhe Ligën e Kampioneve. Moduli tjetër erdhi si pasojë e dëmtimeve të sulmuesve kryesorë të skuadrës. Unë kënaqem më shumë në një skemë ofensive ku jam pas dy sulmuesve, Ançeloti e di që nuk më pëlqen të luaj si sulmues i fshehtë, edhe pse shpesh jam sakrifikuar në këtë rol", deklaroi dje Kaka për mediat italiane. Mesazhi ka qenë shumë i qartë për trajnerin e Milanit, i cili menjëherë ka ndryshuar planet e tij për të lënë jashtë formacionit të riun Pato, duke e kthyer mes titullarëve. "Pato ka nevojë të luajë, për të gjetur sintoninë me skuadrën. Ai nuk ka probleme të karakterit psikologjik, ka gabuar një gol ashtu si shumë sulmues të tjerë, po nuk mund të quhet një rënie në formë për një djalosh vetëm 18-vjeçar. Ronaldo? Këta 6 muaj do të jenë shumë të rëndësishëm për të ardhmen e tij, ndaj do të luajë", ishte justifikimi i Ançelotit para gazetarëve, ndërsa ka saktësuar se Sedorf do të bënte një "turn pushim për të qenë gati për sfidat e rëndësishme". Vetë lojtarët deri tani nuk kanë thënë asgjë për statusin e të privilegjuarit që gëzon Kaka në ekip, ndonëse nuk i kanë pëlqyer disa vendime të klubit në favor të tij. Por tani insistimi për "tredhëmbëshin" në mënyrë që të luajnë me vazhdimësi miqtë Ronaldo e Pato, mund të ndryshojë ekuilibrin e kërkuar. Skema ka nxjerrë krejtësisht në hije Sedorf, një lojtar që nuk është mësuar t‘i thonë të tjerët se çfarë të bëjë, pa harruar edhe Xhilardinon. Ky i fundit meritonte një vend në formacion për golin e shënuar ndaj Udinezes në minutat e fundit, por është sakrifikuar përsëri në stol, për hir të treshes braziliane. Fatmirësisht, për të shmangur polemikën ka menduar Ronaldo, i cili ka shpëtuar Anccelotin me dëmtimin e radhës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›