Tifozët ndryshojnë mendje: Canës i bën keq shiriti
Sezoni i Lorik Canës ka qenë i njëllojtë me atë të Olimpikut të Marsejës, i filluar me shpresën për të qenë protagonist dhe tashmë krejtësisht larg nivelit të pretenduar. Duket se tifozët e kësaj skuadre janë mërzitur me këtë gjendje dhe pretendojnë se shumë prej futbollistëve nuk po paraqiten në nivelin e sezoneve të kaluara. Një prej emrave të lakuar është edhe ai i Lorik Canës, i cili mban edhe shiritin e kapitenit te skuadra marsejeze. Cana mendohej të ishte lideri i vërtetë i ekipit, pasi kishte fituar zemrat e tifozëve me paraqitjet e tij agresive. Por tashmë këta të fundit mendojnë se pikërisht shiriti i kapitenit është arsyeja kryesore pse mesfushori shqiptar është shfaqur në hije në pjesën e parë të kampionatit.
Në faqen e internetit "omplanet.fr", e cila ka si logo pikërisht foton e Canës, tifozët kanë diskutuar ndryshimet e mundshme të formacionit para ndeshjes me Kanën. Ndër të tjera, në forum janë komentuar edhe paraqitjet e futbollistëve të veçantë dhe disa prej shpjegimeve janë postuar në faqen kryesore. Në shkrimin që i referohet Canës, një prej tifozëve ka hedhur idenë që lojtari shqiptar të ulet në pankinë për të marrë veten. "Unë mendoj që Cana duhet të jetë zëvendësues. Ai më duket shumë i plogësht këtë sezon, ndërsa duket se shiriti i kapitenit ka filluar të peshojë më shumë te karakteri i tij impulsiv. Tani na duhet lojtari që turfullon dhe jo që ndalet duke menduar qetësisht për situatën. Ai është zbutur", komenton një prej tifozëve në faqen "omplanet.fr". Në fakt, gjatë këtij sezoni të parë me shiritin e kapitenit te Marseja, Cana nuk është shfaqur më aq impulsiv sa vitet e kaluara ku mbante rekordet e kartonëve të verdhë në kampionat. Por mungesa e agresivitetit ka bërë që ai të mos shihet më si një idhull nga tifozeria marsejeze, e cila adhuronte protestat e tij ndaj gjyqtarëve. Tifozët e kanë shprehur këtë qëndrim edhe nëpërmjet votimeve të përjavshme për lojtarin më të mirë të skuadrës. Nëse në sezonet e kaluara Cana figuronte mes lojtarëve më të pëlqyer, këtë edicion ai nuk është shpallur asnjëherë lojtari më i mirë i ndeshjes.