Kaka "rrëfehet": Sezonin e kaluar mendova të largohesha nga Milani
Kaka, fitues i çmimit "Lojtari më i Mirë i Vitit" ka pranuar në një intervistë, se gjatë sezonit të kaluar ka menduar të largohet nga Milani. Braziliani ka qenë frymëzuesi i kuqezinjve në Ligën e Kampioneve, trofe që është fituar në finalen e Athinës, ku falë dy golave të Filipo Inzagit, italianët mposhtën 2-1 Liverpulin. Tashmë, në mënyrë të pabesueshme, Kaka deklaron se vetëm pak muaj më parë, atë finale e shikonte si ndeshjen e tij të fundit me fanellën e Milanit. "Nëse kam menduar ndonjëherë të largohem nga Milani? Kjo ka ndodhur vetëm një herë, përpara se të luanim finalen e Ligës së Kampioneve në Athinë. Ai ka qenë rasti i vetëm", ka thënë Kaka për revistën e përjavshme "Guerin Sportivo". Që prej asaj dite maji të mbushur me emocione kanë ndryshuar shumë gjëra. Me skuadrën e drejtuar nga trajneri Ançeloti - përveç titujve ndërkombëtarë - Kaka ka fituar tri trofe personalë: "Topin e Artë", "Lojtari më i Mirë i Vitit" dhe "FIFPro, Lojtari më i Mirë i Vitit". Edhe mënyra sesi mesfushori e sheh të ardhmen është ndryshe: "Një ditë dëshiroj të bëhem kapiteni i Milanit". Pasi ka ndihmuar klubin të fitojë edhe Botërorin për klube në Japoni, aktivitet ku është shpallur "Lojtari më i Mirë", Kaka vazhdon të jetë ambicioz. "Dëshiroj të luaj në Lojërat Olimpike në Pekin: Olimpiada është një titull të cilin Brazili nuk e ka fituar asnjëherë", shtoi numri 22 i Milanit. Në fund, një paralajmërim për yllin e ri të kuqezinjve, Aleksandre Pato: "Mendoj se ai është Ronaldo i ri, por duhet të jemi të kujdesshëm që ai mos të ndihet nën presion".