Lipi: Kam dëshirë të punoj
"Nuk ndihem as i papunë dhe as si turist. Nuk janë të sakta as lajmet se jam mërzitur. E vërteta është se m‘u kthye dëshira për t‘u kthyer në fushë, për të hyrë në dhomat e zhveshjes, për të krijuar një skuadër". Marçelo Lipi kërkon të veshë përsëri tutat e sportit, Botërori i fituar dhe sukseset e shumta të arritura me Juventusin nuk mjaftojnë. "Nuk kam zënë ndryshk, mund të them me siguri se në qershor do të vesh sërish tutat e sportit. Në mes të sezonit më kanë kërkuar disa klube jashtë Italisë. Ndërmjet Anglisë dhe Spanjës do të zgjidhja të punoja në Spanjë. Këtë e them prej filozofisë së futbollit që kanë në këtë vend, jo prej gjuhës që flitet". Dy prej opsioneve që mund të shfaqen në fund të sezonit për ish-teknikun "axurr" janë Barcelona dhe Çelsi, që mund të ndryshojnë drejtuesin e stolit dhe Lipi është një prej kandidatëve më të fortë. Ai ka folur edhe për Kapelon: "Punësimi i tij në kombëtaren angleze është diçka historike për kombin që shpiku futbollin dhe një vlerësim për trajnerët italianë".