Krishtlindjet, festa ka filluar
Me mijëra besimtarë të krishterë dhe katolikë i janë drejtuar në kufirin mes 24 dhe 25 dhjetorit kishave dhe katedraleve në të gjitha qytetet e vendit.
Festa e Krishtlindjeve ka hapur siparin me madhështi dhe besim. Ajo është përkujtuar me devocion dhe dashuri. 25 dhjetori, dita e lindjes së Krishtit, kremtohet në të gjithë botën si dita e dashurisë, shpresës, paqes dhe dashurisë njerëzore. Me qirinj të ndezur, duke u lutur për paqe dhe mirësi, me mijëra besimtarë të krishterë dhe katolikë edhe në kryeqytet kanë marrë pjesë në kryerjen e ceremonive dhe riteve fetare të orëve të para të mëngjesit të kësaj dite të shënuar. Festa e Krishtlindjeve është shndërruar tashmë në një traditë festive jo vetëm për besimtarët e krishterimit, por edhe për të gjithë të tjerët që e konsiderojnë atë si një ditë të veçantë, ku duhet të mbizotërojë atmosfera festive dhe harmonia mes njerëzve. Ngjyra e kuqe është karakteristika e kësaj feste, e cila do të mbledhë edhe gjatë ditës së sotme rreth tryezës familjare miqtë dhe të dashurit. Përgatitjet për këtë ditë feste kanë kohë që kanë filluar dhe ndihen jo vetëm në kryeqytet.
Jezus Krishti do të thotë Shpëtimtari i Vajosur. Jezusi ka edhe dy tituj mesianik: Biri i Perëndisë, që përfaqëson Perëndinë te njerëzit dhe Biri i Njeriut, që përfaqëson njerëzit te Perëndia. Sot, në botë, më shumë se një miliard e 200 milionë njerëz pranojnë formalisht se e njohin Krishtin. Në shkrimin e shenjtë, Bibla, thuhet se Perëndinë askush kurrë nuk e ka parë, por ai i vetmi që zbriti nga qielli e bëri të njohur atë. Jezusi gjatë predikimeve të tij mes turmave thoshte se Unë dhe Ati jemi Një, dhe kushdo që më ka parë mua, ka parë edhe Atin Perëndi. Krishti mori rrugën e shpengimit të njeriut nga paudhësia, nga ligësia dhe mëkati, dhe gjithë zemërimi i Perëndisë ndaj njerëzimit u zbraz në Krishtin Jezus. Mëkatshmëria e njeriut dhe dashuria e Perëndisë ndaj tij ishin ato që e dërguan Krishtin që të jetë një sakrificë, kurban në kryq. Ai vdiq, dhe pas tri ditëve u ringjall dhe u ngrit në të djathtën e Perëndisë.