E Diel, 1 Nëntor 2026

Nje fushate jo bardhe e zi

Gara për karrigen e Presidentit në Shtetet e Bashkuara, përveçse një garë ekselente deri tani, është padyshim më emocionalja që ky vend ka parë. Kjo shihet qartë nga pjesëmarrja edhe shpirtërore e më shumë amerikanëve se të paktën në fushatat e dhjetëvjeçarëve të fundit. Sigurisht krahu demokrat gëlon dhe Partia Demokratike ka gjithë të drejtat të krenohet me kandidatët e saj, ku spikatin dy kryesorët, një ish-zonjë e parë, tani senatore dhe një afrikan - amerikan, bir i një emigranti nga Kenia. Pikërisht në ditëlindjen e Martin Luther King, u mbajt debati i radhës për demokratët në Nevada. Në fund të tij, media e cilësoi si një "love fest", për shkak të toneve të zbutura dhe komplimenteve që kandidatët nuk i kursyen për njëri-tjetrin. Në fakt, ai mund të përcaktohej edhe si një homazh për njeriun që luftoi, derdhi djersë dhe gjak, në fund dhe jetën, për të drejtat e njeriut në Amerikë, luftë pa të cilën, as një grua, as një afrikan - amerikan nuk do mundeshin as ta ëndërronin Shtëpinë e Bardhë. Hillary Clinton, Barak Obama dhe John Eduards, vendosën të japin një mesazh uniteti. Sigurisht brenda garës dhe kompeticionit të natyrshëm në të tilla raste, ata shprehën edhe dallimet mes njëri -tjetrit. Obama ka hyrë fuqishëm në lojë me sloganin "agjent i ndryshimit", si edhe me fjalimet e tij inspiruese. Clinton ka theksuar se do sjellë ndryshimin përmes eksperiencës së saj 35-vjeçare dhe se gjatë kësaj eksperience ajo vetëm ndryshim ka sjellë. Fakti që ajo është grua, është një ndryshim madhor, pavarësisht se kartën e gjinisë nuk do as ta përdorë, as t‘ia përdorin. Eduards nuk e anashkalon dhe ai ndryshimin, por ka profilizuar veten si një populist i zemëruar, që lufton për shtresat e varfra, duke kujtuar në çdo rast prejardhjen e tij të varfër. Në të djathtë situata është më kaotike dhe në tre zgjedhje kanë dalë tre fitues, Huckabe, McCain dhe Romny. Nuk dihet ende kush do jetë pretendenti. Aq më tepër janë shtuar zërat se kryebashkiaku i New York, Blomberg, mund të futet i fundit në garë me shanset për të fituar. Një tjetër kryebashkiak njujorkez, por ish tani, pritet të shpërthejë në zgjedhjet në Florida. Rudi Xhuliani nuk është ndjerë deri tani dhe ka anashkaluar zgjedhjet në Iowa, New Hampshire dhe Michigan. Po ruan veten për shtetin e diellit. Megjithatë, për shkak të qeverisjes së gjatë të republikanëve dhe ritit të ndërrimit të pushteteve të paktën njëherë në 8 vjet, po kështu për shkak të pakënaqësisë së amerikanëve në rritje ndaj presidencës "Bush", duket se sytë e veshët janë përqendruar më shumë nga demokratët. Dhe jo vetëm për këto fakte, por edhe për figurat interesante që ka prodhuar ky krah. Për pak, javës që shkoi fushata u përcaktua me ngjyra race, bardhë e zi. Por demokratet gjetën forca ta kalonin këtë moment, që ndoshta mund të shfaqet sërish, kur gara të bëhet më e egër. Megjithatë, ia vlen të theksohet, që kjo nuk është një garë bardhë e zi, por shumëngjyrëshe.

Në fund të ditës për dy pretendentët majtas, Clinton - Obama, nga të cilët mendohet të dalë kandidati, opinioni mediatik i fasinuar duhet thënë me Obamën, ka arritur në konkluzionin se ai ka më shumë stil dhe Clinton ka më shumë substancë. Kjo u shpreh madje edhe nga disa votues të pavendosur, të cilët thonë se kur i duhet të zgjedhin mes të dyve, zemra ua thotë të votojnë për Obamën, por mendja për Hillarinë. Pas një jave të mbushur me replika, sidomos ato për racën, demokratët vendosën ta kapërcejnë këtë ngërç, që u tha se po i dëmton të dy. Duke u shprehur njëzëri se as gjinia, as raca nuk duhet të jetë problemi i fushatës, ato tani po përqendrohen te problemet reale që ka Amerika. Nëse fushatën e shkuar Iraku, lufta dhe terrorizmi, ishin karta pothuaj e vetme e të dyja palëve, tani kjo issue është zbehur disi, sepse Amerika ka të tjera halle dhe nga sondazhet e fundit, duket se problemi kryesor është ai ekonomik. E nëse fushata do përqendrohet deri në fund tek shqetësimet dhe hallet e përditshme të amerikanëve, që nga punësimi, shëndetësia, pensionet etj., kjo padiskutim që do të jetë një fushatë model. Kur Bush konkurronte me Kerrin shumë arritën në përfundimin se mes tyre s‘po ka aq shumë dallime. Ndërsa sot mes demokratëve dhe republikanëve ka jashtë mase dallime. Ai kryesori është për vazhdimin ose jo të luftës, që republikanët duan, s‘duan, e mbështesin. E vetmja gjë e ngjashme, që e përvetësuan të gjithë, është fjala ndryshim, kjo duket si kënga e fushatës tani.

Fushata është tejet e larmishme, për nga problematika që shtron, për nga denduria e aktiviteteve, nga debatet e shumta televizive, sondazhet, opinionet e analistëve, komentet qytetare dhe profesionale. Nuk duhet lënë pa përmendur se interneti po luan një rol të rëndësishëm, ashtu si në çdo fushë tjetër jetësore sot. Kështu, kur ish-pretendenti për President i vitit 2004, Kerri, prezantoi Obamën në Karolinën e Jugut, shumëkush e pa këtë si një përparësi. Jo se një "indorsmen" luan rol të madh në fitore, por në këtë rast sepse Kerri ka një databaze me 2 milionë adresa, të cilën ia ka kaluar Obamës menjëherë. Secili kandidat ka websiten e tij sigurisht dhe aty mund të shkruash mesazhin tënd apo pyetjen tënde dhe merr përgjigje, në mos menjëherë, të paktën pas një dite. Kandidatët kanë vendosur të shkojnë derë më derë, por dhe e-mail më e-mail dhe ky është një element fasinant që mbetet për t‘u parë çfarë efekti do të ketë.

Megjithëse është ende fillimi dhe pritet që gara të bëhet më interesante, duhet thënë se kemi të bëjmë me një fushatë, që si rrallëherë ngjason me një film serial, që ke dëshirë ta shohësh, diskutosh e ndash me miq. Por, më kryesorja, një fushatë ku të gjitha shtresat e shoqërisë, sidomos ato politike dhe mediatike, jo vetëm amerikane, por dhe më gjerë, patjetër kanë se çfarë të mësojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›